Truri i adoleshentëve ka përjetuar ndryshime fizike gjatë pandemisë së COVID-19, duke u plakur më shpejt se normalisht, ka konkluduar një studim i ri, i kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pjesëmarrësit në këtë studim kanë raportuar më shumë simptoma ankthi, depresioni dhe ato që shkencëtarët i quajnë telashe të brendshme, ndjenjat e mërzisë, vetmisë dhe frikës për t’u përballur me emocionet e tyre, pas vitit të parë të pandemisë.
Disa studime kanë nxjerrë në pah se shëndeti mendor i të rinjve ka pësuar gjatë pandemisë. Ata janë ndalur nga shkollat, kanë qëndruar larg miqve e u është dashur të jetojnë në pasiguri dhe frikë që vinte nga koronavirusi. Shumë prindër humbën punët. Miliona fëmijë humbën prindërit e gjyshërit si pasojë e COVID-19.
Studimi i publikuar në revistën “Biological Pschiatry: Global Open Science”, është një nga të parët që ka shfaqur ndryshimet fizike në tru, të shkaktuara nga stresi dhe ankthi. Studimi ka dalë nga një hulumtim më i gjerë në të cilin shkencëtarët u përpoqën të kuptojnë dallimet në gjini në depresionin, tek adoleshentët.
Tetë vjet më parë, ata patën plan për të kryer skanime çdo dy vjet, të 220 fëmijëve të moshave 9-13. Ekipi pati kompletuar dy skanime para se hulumtimi të ndërpritej nga pandemia. Shkencëtarët s’ishin në gjendje të nisnin testimet deri në fund të 2020-s.
Kur hulumtimi qe ndërprerë, ekipi pati vendosur që të studionte efektet që do të kishte ndërprerja te zhvillimi i trurit te të anketuarit. Skenimet e parapandemisë u ndihmonin të bënin krahasimin, shkruan CNN.
Ata i krahasuan hulumtimet e adoleshentëve, gjysmën e skanimeve të marra para pandemisë dhe gjysmën në fund të 2020-s.
Hulumtimi gjeti se adoleshentët përjetuan plakje më të shpejtë të trurit në vitin e parë të pandemisë, në krahasim me trutë e adoleshentëve të tjerë, që ishin skanuar para pandemisë.
Truri i plakur më shpejt kishte përjetuar rritje në zonën që ndihmon në rregullimin e frikës dhe stresit, që kryesisht merren me kontrollin e qasjes në kujtime.
Truri i fëmijëve ndryshon natyrshëm me kalimin e kohës, por sipas hulumtimit këto ndryshime marrin hov kur personi kalon në fatkeqësi të mëdha gjatë fëmijërisë. Studimet kanë treguar se njerëzit që përjetojnë dhunë, varfëri e probleme në familje në jetën e hershme, truri i tyre plaket më shpejt dhe kanë probleme me shëndetin mendor më vonë gjatë jetës.