Lifestyle

Mënyrat se si dieta mund të ndikojë në shëndetin mendor

Ajo që hamë, kur hamë dhe sa hamë, kanë efekt të drejtpërdrejt në metabolizëm dhe mitokondri. Të gjithë e dinë se dieta luan rol të madh në obezitet, diabet dhe sëmundjet kardiovaskulare. Ajo që shumica e njerëzve mund të mos e dinë është se dieta gjithashtu ka efekte të thella në shëndetin mendor dhe trurin e njeriut, shkruan portali “Big Think”.

Kjo fushë e studimit është masive. Dhjetëra mijëra artikuj kërkimorë dhe libra të panumërt shkollorë kanë eksploruar efektet e dietës në metabolizëm dhe mitokondri. Shumica e këtyre hulumtimeve është fokusuar në obezitetin, diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjen e Alzheimerit, plakjen dhe jetëgjatësinë. Sidoqoftë, këta studiues zakonisht nuk e shohin lidhjen me shëndetin mendor.

Por, e vërteta është se gjendja mendore ndikon në metabolizëm, gjë që mund të ndikojë në apetitin tonë dhe mënyrën se si ushqehemi, e që përfundimisht mund të ndikojë në shëndetin e përgjithshëm. Pra është një marrëdhënie e dyanshme. Metabolizmi ndikon në shëndetin mendor dhe anasjelltas.

Ekzistojnë të paktën shtatë mënyra të ndryshme që ndërhyrjet dietike mund të jenë të dobishme në adresimin e simptomave mendore, e ato janë:

1. Trajtimi i mangësive ushqyese, të tilla si mungesa e folatit, vitaminës B12 dhe tiaminës.

2. Heqja e alergeneve ose toksinave dietike. Për shembull, disa njerëz kanë një çrregullim autoimun të quajtur sëmundja Celiac, që rezulton në inflamacion dhe probleme të tjera metabolike si pasojë e glutenit. Kjo gjithashtu mund të ndikojë në funksionin e trurit.

3. Ngrënia e një diete të shëndetshme, sikur dieta mediterrane, mund të luajë rol për disa njerëz.

4. Përmirësimi i mikrobiomës së zorrëve.

5. Përmirësimi i metabolizmit dhe funksionit mitokondrial me një ndërhyrje diete. Kjo përfshin ndryshime në rezistencën ndaj insulinës, shkallën metabolike, numrin e mitokondrive në qeliza, shëndetin e përgjithshëm të mitokondrive, hormonet, inflamacionin dhe shumë rregullatorë të tjerë të njohur të metabolizmit.

6. Humbja e peshës mund të ndihmojë në zbutjen e problemeve që lidhen me obezitetin.

7. Shtimi i peshës mund të jetë një intervenim shpëtues për personat që janë nënpeshë.

Po ashtu ekzistojnë dëshmi se agjërimi, agjërimi me ndërprerje dhe dietat që imitojnë agjërimin, mund të luajnë një rol në trajtimin e çrregullimeve mendore. Të gjitha ato rezultojnë në prodhimin e trupave të ketonit, të cilat krijohen kur yndyra përdoret si burim energjie. Yndyra shndërrohet në ketone.

E rëndësishme është se ka prova që e vërtetojnë se dieta që e imiton agjërimin, e përmirëson dukshëm disponimin, funksionin njohës dhe i mbron neuronet nga dëmtimi.