Lifestyle

Trajtimi i kancerit me virus po jep rezultate mbresëlënëse, thonë shkencëtarët

Një lloj i ri i terapisë së kancerit që përdor një virus të zakonshëm për të infektuar dhe shkatërruar qelizat e dëmshme, është duke dhënë premtime të mëdha në provat e hershme njerëzore, thonë shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Kanceri i një pacienti u zhduk, ndërsa të tjerë panë që tumoret e tyre po zvogëloheshin, raportoi BBC-ja të premten.

Ilaçi është një formë e dobësuar e virusit të ftohjes - herpes simplex, që është modifikuar për të vrarë tumoret.

Ndonëse do të nevojiten studime më të mëdha dhe më të gjata, ekspertët thonë se injeksioni në fund mund të ofrojë një shpëtim për më shumë njerëz me kancer të avancuar.

Krzysztof Wojkowski, një ndërtues 39-vjeçar nga Londra perëndimore, është një nga pacientët që mori pjesë në provën e vazhdueshme në fazën e parë, të drejtuar nga Instituti i Kërkimit të Kancerit në Fondacionin “Royal Marsden NHS Trust”., transmeton Koha.net.  Ai u diagnostikua në vitin 2017 me kancer të gjëndrave të pështymës, pranë gojës. Pavarësisht operacionit dhe trajtimeve të tjera në atë kohë, kanceri i tij vazhdoi të rritet.

"Më thanë se nuk kishte alternativa për mua dhe po merrja trajtim në fund të jetës. Ishte shkatërruese, kështu që ishte e pabesueshme të më jepej shansi për t’iu bashkuar provës”, ka thënë Wojkowski.

Një kurs i shkurtër i terapisë së virusit - i cili është një version i modifikuar posaçërisht i virusit herpes i cili normalisht shkakton plagë të ftohta , duket se ka pastruar kancerin e tij.

"Kam bërë injeksione çdo dy javë, për pesë javë, të cilat ma zhdukën plotësisht kancerin. Unë jam pa kancer qe dy vjet tani”, është shprehur ai.

Injeksionet, të dhëna direkt në tumor, sulmojnë kancerin në dy mënyra, duke pushtuar qelizat kancerogjene e duke i bërë ato të shpërthejnë, dhe duke aktivizuar sistemin imunitar.

Rreth 40 pacientë e kanë provuar trajtimin si pjesë e provës. Disave iu dha injeksioni i virusit, i quajtur RP2, më vete. Të tjerë gjithashtu morën një ilaç tjetër kundër kancerit të quajtur nivolumab.

Studiuesi kryesor, Kevin Harrington i tha BBC-së se përgjigjet e trajtimit të parë ishin "vërtet mbresëlënëse" në një sërë kanceresh të avancuara, duke përfshirë kancerin e zorrës së trashë (ezofagit) dhe një lloj të rrallë të kancerit të syrit.

"Është e rrallë të shohësh norma kaq të mira përgjigjeje në provat klinike të fazës së hershme, pasi qëllimi i tyre kryesor është të testojnë sigurinë e trajtimit dhe ato përfshijnë pacientë me kancer shumë të avancuar, për të cilët trajtimet aktuale kanë pushuar së funksionuari," tha ai.

"Unë jam i etur të shoh nëse ne do të vazhdojmë të shohim përfitime ndërsa trajtojmë një numër në rritje të pacientëve”, ka shtuar ai.

Nuk është hera e parë që shkencëtarët përdorin një virus për të luftuar kancerin. NHS miratoi një terapi të bazuar në virusin e ftohtë, të quajtur T-Vec, për kancerin e avancuar të lëkurës disa vite më parë.

Dr. Marianne Baker, nga Cancer Research UK, tha se gjetjet inkurajuese mund të ndryshojnë kursin e trajtimit të kancerit.

“Shkencëtarët zbuluan se viruset mund të ndihmojnë në trajtimin e kancerit 100 vjet më parë, por ka qenë sfiduese për t'i shfrytëzuar ato në mënyrë të sigurt dhe efektive. Kjo terapi e re virale tregon premtime në një provë të hershme në shkallë të vogël - tani na duhen më shumë studime për të zbuluar se sa mirë funksionon. Kërkimet sugjerojnë se kombinimi i trajtimeve të shumta është një strategji e fuqishme dhe terapitë e viruseve si kjo mund të bëhen pjesë e mjeteve tona për të mposhtur kancerin”, ka thënë Baker.