Pacientët që shërohen nga COVID-19 vuajnë nga probleme neurologjike dhe psikologjike, sipas një studimi të botuar të enjten.
Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit kërkuan më shumë se një milion dosje pacientësh dhe zbuluan se, dy vjet pas infektimit, pacientët që ishin shëruar nga COVID-19 ishin në një rrezik më të lartë të psikozës, demencës dhe "mjegullës së trurit" krahasuar me pacientët që u shëruan nga sëmundje të tjera të frymëmarrjes, raportoi Politico.
Për disa simptoma, pati një rritje fillestare që u ul më pas. Ankthi dhe depresioni ranë në nivele në përputhje me sëmundjet e tjera të frymëmarrjes pas dy muajsh.
Por, në rastin e mjegullës së trurit, për shembull, të rriturit e moshës nga 18 deri në 64 vjeç që ishin shëruar nga COVID-19 vuanin nga ajo në një shkallë 16 për qind më të lartë se pacientët me sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Diferenca ishte më e theksuar te moshat mbi 65 vjeç, ku u konstatua rrezik i shtuar edhe për psikozë dhe demencë.
Të dhënat, kryesisht nga pacientët në SHBA, tregojnë se janë prekur edhe të miturit. Fëmijët që e kalonin COVID-19 kishin dy herë më shumë gjasa të vuanin nga epilepsia ose të dridhurat trupore, dhe tre herë më shumë të ngjarë të zhvillonin një çrregullim psikotik krahasuar me ata që shëroheshin nga një sëmundje e frymëmarrjes.
Studimi, në “The Lancet Psychiatry”, tregoi se edhe varianti më i butë, Omicron, që është aktualisht mbizotërues paraqet rreziqe të ngjashme afatgjatë.
Studimi pati për qëllim të nxjerrë se çfarë shkakton COVID-i si virus specifik në krahasim me viruset e tjera që ndikojnë në të njëjtën pjesë të trupit.
Instituti për Vlerësimin e Shëndetit vlerësoi se 3.7 për qind e pacientëve me COVID-19 zhvillojnë një simptomë post-COVID, tha Janet Diaz, drejtuesja e OBSH-së për këtë temë. Duke folur në një konferencë, ajo tha se ashpërsia e problemeve post-COVID është e barabartë me ato të përjetuara nga pacientët me dhimbje të forta të qafës, sëmundjen Crohn ose pasojat afatgjata të dëmtimit traumatik të trurit.