Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar shpërthimin e përshkallëzuar të sëmundjes, dikur të rrallë, si emergjencë ndërkombëtare në muajin korrik; SHBA-ja e shpalli emergjencë kombëtare javën e kaluar. Jashtë Afrikës, 98% e rasteve janë te meshkujt që kanë pasur marrëdhënie seksuale me meshkuj
Që nga maji, gati 90 vende kanë raportuar më shumë se 31 mijë raste të lisë së majmunëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar shpërthimin e përshkallëzuar të sëmundjes, dikur të rrallë, si emergjencë ndërkombëtare në muajin korrik; SHBA-ja e shpalli emergjencë kombëtare javën e kaluar.
Jashtë Afrikës, 98% e rasteve janë te meshkujt që kanë pasur marrëdhënie seksuale me meshkuj. Me vetëm një furnizim të kufizuar global të vaksinave, autoritetet po garojnë për ta ndaluar lirinë e majmunëve përpara se të rrënjoset si sëmundje e re.
Teorikisht, po. Virusi nuk përhapet lehtë dhe ekziston vaksina. Mirëpo, ka vetëm rreth 16 milionë doza në dispozicion tani dhe vetëm një kompani e prodhon atë.
Përveç Afrikës, nuk ka asnjë shenjë të transmetimit të vazhdueshëm të lisë së majmunëve përtej burrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, që do të thotë se ndalimi i përhapjes midis atij grupi mund t’i japë fund në mënyrë efektive shpërthimit. Javën e kaluar, shkencëtarët britanikë kanë treguar se kishte “shenja të hershme” që rastet e lisë së majmunëve në Britani – e cila dikur kishte shpërthimin më të madh në botë jashtë Afrikës – kishte arritur kulmin.
A është kjo një tjetër pandemi?
Jo. Pandemia nënkupton se shpërthimi i sëmundjes është përhapur mbarë botën. Lija e majmunëve nuk bartet aq shpejt si koronavirusi dhe kontrollimi e ndalimi i saj nuk kërkojnë ndërhyrje dramatike sikur izolimet e COVID-19.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreysus, ka thënë se e shpalli linë e majmunëve emergjencë pjesërisht për t’i nxitur vendet që ta marrin seriozisht epideminë, duke treguar se ende ka mundësi për ta kontrolluar sëmundjen përpara se të bëhet problem global.
Si përhapet?
Përhapja e lisë së majmunit zakonisht kërkon kontakt lëkurë me lëkurë ose lëkurë me gojë me lezionet e një pacienti të infektuar. Njerëzit gjithashtu mund të infektohen përmes kontaktit me veshjet a çarçafët e dikujt që ka lezione të lisë së majmunit.
Lija po ashtu mund të përhapet nga spërklat, mirëpo shkencëtarët ende po përpiqen ta kuptojnë se sa shpesh ndodh kjo. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë kanë bërë të ditur se nuk kanë konfirmuar asnjë rast të transmetimit nga ajri.

Kush po infektohet?
Një përqindje e madhe e rasteve kanë qenë te meshkujt homoseksualë dhe biseksualë. Sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 99% e rasteve të lisë së majmunëve në SHBA janë meshkuj. Prej tyre, 94% raportuan kontakt seksual me meshkuj të tjerë në tri javë para se të shfaqnin simptoma.
Megjithatë, çdokush mund të infektohet nga virusi nëse është në kontakt të ngushtë me një person të infektuar ose me pëlhura që kanë prekur një person të infektuar.
Kush po vaksinohet?
Me furnizimet e kufizuara, zyrtarët shëndetësorë nuk rekomandojnë vaksinim masiv. Ata po sugjerojnë injeksione për punonjësit e shëndetësisë, njerëzit që kanë kontakt të ngushtë me një person të infektuar dhe meshkujt me rrezik të lartë të marrjes së lisë së majmunëve.
Zyrtarët po përpiqen gjithashtu t’i zgjasin furnizimet e vaksinës, Jynneos. Kërkohen dy doza, por shumë vende japin vetëm një dozë.
Zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së kanë autorizuar një strategji të re që do t’i lejonte profesionistët shëndetësorë të vaksinojnë deri në pesë persona me një pipetë. Qasja përdor vetëm një pjesë të sasisë tipike të vaksinës dhe e administron atë me një injeksion vetëm nën lëkurë dhe jo në inde më të thella. Marrësit do të merrnin nga dy doza në një muaj.
Si të zvogëlohet rreziku?
Tedros i OBSH-së ka rekomanduar që burrat në rrezik të infektimit me linë e majmunëve të konsiderojnë të bëjnë “zgjedhje të sigurta” dhe t’i reduktojnë partnerët e tyre seksualë “për momentin”.
Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore i ka këshilluar njerëzit që të kontrollojnë veten për lezione të lisë së majmunëve përpara se të kenë marrëdhënie seksuale ose të shkojnë në një ngjarje shoqërore, duke vënë në dukje se shumica e rasteve të vendit besohet të kenë origjinën në festivale, sauna dhe vende të tjera ku janë kryer marrëdhënie. Kushdo me lezione të lisë së majmunëve duhet të izolohet derisa të shërohet plotësisht, gjë që mund të zgjasë deri në tre javë.
Cila është lidhja me Afrikën?
Lia e majmunëve ka qenë endemike për dekada në pjesë të Afrikës qendrore dhe perëndimore, ku njerëzit janë sëmurë kryesisht pas kontaktit me kafshë të egra të infektuara si brejtësit dhe ketrat. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të agjencisë më të lartë të shëndetit publik të Afrikës ka theksuar se marrëdhënia seksuale midis meshkujve homoseksualë dhe biseksualë “nuk ishte e rëndësishme” për shpërthimin në kontinent, me rreth 40% të rasteve midis grave.
Shkencëtarët mendojnë se shpërthimet e lisë së majmunëve në Evropë dhe Amerikën e Veriut e kanë origjinën në Afrikë shumë kohë përpara se sëmundja të fillonte të përhapej. Mostrat nga rastet në Evropë tregojnë dhjetëra mutacione, duke sugjeruar se virusi fillestar po përhapej në heshtje për muaj apo vite përpara se të zbuloheshin epidemitë aktuale.
Versioni i lisë së majmunëve që përhapet në Evropë dhe Amerikën e Veriut ka një shkallë më të ulët të vdekshmërisë sesa ai që qarkullon në Afrikë. Vendet që nuk panë shumë raste të lisë së majmunëve përpara këtij shpërthimi kanë raportuar një pjesë të vogël të vdekjeve, ndërsa Afrika ka pasur të paktën 100 vdekje të dyshuara këtë vit.
Kush është në rrezik më të lartë?
Shumica e njerëzve të infektuar me linë e majmunëve shërohen pa trajtim, por mund të shkaktojë simptoma më të rënda si inflamacion i trurit dhe në raste të rralla, vdekje.
Lia e majmunëve mund të jetë serioze te fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje themelore, si kanceri, tuberkulozi ose SIDA.
Sa më gjatë të vazhdojnë shpërthimet aktuale, aq më të mëdha janë shanset që virusi të përhapet në vende të tjera, ngjashëm me mënyrën se si SIDA u zbulua për herë të parë te meshkujt homoseksualë përpara se të përhapej më gjerësisht.
Përktheu: Blerta Haxhiu