Lifestyle

Përfitimet nga farat e lulediellit

Pranojeni ose jo, farat e lulediellit janë mënyra më perfekte për të kaluar kohën.

E kush nuk ka përtypur fara vjedhurazi në orën e mësimit poshtë bankës apo në shtëpi teksa shihnit televizor?

Vështrimit qortues të mësueses i shtohej edhe breshëria me të këqijat që rendiste mamaja që nga, ‘ato i prek miu’ e deri tek ‘janë aq të dëmshme sa të shkaktojnë sëmundje’.

Eshtë e pamohueshme, që farat janë një produkt i dashur për shqiptarët, por përveçse për të vrarë kohën, farat e lulediellit janë tejet të shëndetshme dhe me shumë vlera ushqyese.

Ja se çfarë mund të bëjnë ato për ju:

1. Kontrollojnë dëmtimin e qelizave, duke ndihmuar në këtë mënyrë parandalimin e kancerit. Kjo pasi farat e lulediellit janë një burim i mirë me selenium, që është provuar si armik i kancerit.

2. Përmbajnë minerale të domosdoshme për shëndetin e kockave. Përveç kalciumit, kockat kanë nevojë edhe për magnezium dhe bakër për të qenë të forta. Farat e lulediellit i kanë të dyja këto minerale. Si bonus kanë dhe Vitaminë E, që ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

3. Të mbajnë të qetë. Po! Magneziumi tek farat e lulediellit ka reputacionin që qetëson nervat, duke liruar në këtë mënyrë stresin, migrenën dhe ndihmon për t’u relaksuar.

4. I japin shkëlqim fytyrës. Dhe këtë ia dedikojmë rolit të Vitaminës E, e cila lufton rrezet UV, dhe e mban lëkurën të re.

5. Lehtësojnë problemet inflamatore, si dhembja e kyçeve, gastriti, ulcera, skuqja e lëkurës, azma. Kjo, sepse farat e lulediellit kanë shumë antioksidantë.

6. Vetëm një gjysmë filxhan me fara luledielli mban larg sëmundjet kardiake. Këto fara të vogla pengojnë kolesterolin e “keq” që të mos ngjitet në muret e arterieve, duke parandaluar në këtë mënyrë ataket e zemrës.

7. Me shijen e tyre unike, farat e lulediellit mund të jenë një produkt i shkëlqyer për t’u shtuar në dietën tuaj. Hidhini në sallatë, në kos, në sandviç, oriz, makarona. Mundësitë janë aq të shumta sa dhe të mirat e këtyre farave të adhuruara nga dielli.

8. Përmbajnë fosfor, zink dhe minerale të tjera. Këto bëjnë të mundur që trupi të krijojë kocka dhe dhëmbë të fortë.

9. Përmbajnë shumë proteina. Një filxhan i vogël me fara përmban 7 gramë proteina. Kjo proteinë i jep trupit energji përgjatë të gjithë ditës, duke e bërë një ushqim shumë të shëndetshëm.

Bëni kujdes!

Edhe pse konsumi i farave të lulediellit ka shumë të mira, sërish duhet të bëni kujdes kur i konsumoni, pasi ato mund të përmbajnë shumë kalori. Deri në 818 kalori dhe 72 gramë yndyra. Ndonjëherë ato mund të jenë dhe të kripura, gjë që dëmton shëndetin tuaj. Gjithashtu është e rëndësishme të mos e konsumoni lëvozhgën e farës, pasi mund të shkaktojë probleme me tretjen./AgroWeb