Pushimet vjetore janë diçka që të gjithë i presin me padurim dhe që shpesh janë motivimi për t’i përfunduar të gjitha detyrimet e tjera në kohë, në mënyrë që të pushohet mirë. Por mund të bëhet lehtësisht burim stresi nëse e mbingarkoni veten paraprakisht.
Është e rëndësishme të përgatiteni përpara udhëtimit, ndaj është mirë të keni një listë detyrash dhe të kontrolloni se çfarë duhet të merrni me vete. Nuk duhet të lini gjithçka për ditët e fundit, sepse atëherë do të çmendeni pa nevojë dhe do të sforcoheni në vend që të jeni gati për t'u çlodhur, shkruan revista “City”.
Planifikoni gjërat përpara
Ndoshta gjëja më e zgjuar që mund të bëni është të përpiloni një listë të detyrave para kohe dhe të filloni t'i kryqëzoni ato një nga një. Sigurisht, këtë nuk duhet ta marrë përsipër një person, por të shpërndahen përgjegjësitë. Sa më shpejt të kryhen, aq më pak presion do të ketë në fund, para vetë udhëtimit.
Lista e detyrave duhet t'u referohet nevojave për vetë udhëtimin, si valixhe, çantë shpine, pasaportë e vlefshme, por edhe për të gjithë kohën që jeni larg, pra çfarë duhet të paketoni nga rrobat dhe këpucët, ilaçet, kremrat kundër diellit etj.
Informoni kolegët se nuk do të jeni të disponueshëm
Nëse mundeni, filloni pushimet disa ditë para udhëtimit tuaj për t'u mësuar të mos jeni në zyrë dhe të mos keni asnjë detyrim biznesi apo pune. Informoni kolegët tuaj se nuk do të jeni aty, nëse është e nevojshme caktoni dikë që të marrë përgjegjësi për rastet kur nuk mund të pritet. Gjithçka tjetër mund ta kryeni pasi të ktheheni.
Rekomandohet që të vendosni një përgjigje automatike në llogarinë tuaj të e-mailit, në mënyrë që të gjithë ta dinë se nuk jeni aty dhe se thjesht nuk e kontrolloni.
Bëni përgatitjet tuaja të fundit herët
Ka gjëra që nuk mund të mbarohen më herët, por ka edhe nga ato që munden - kështu që mund të mendoni paraprakisht se cilat gjëra duhet të lahen, nëse keni nevojë të blini diçka të re, nëse keni dikë që do të ujisë bimët tuaja, nëse kafsha juaj është duke udhëtuar me ju ose dikush po kujdeset për të. Kontrolloni nëse mund të paguani me kartë jashtë vendit dhe jo më pak e rëndësishme - blini sende ushqimore që mund t'ju presin në frigorifer, në mënyrë që të mos arrini në shtëpi e të mos keni ushqim, meqë mund edhe të mos keni shumë para.
Relaksohuni për disa ditë para nisjes
Kjo nuk nënkupton vetëm përpjekjen për t'i thënë vetes se jeni të relaksuar, por duhen veprime praktike. Nëse çdo gjë tjetër e keni bërë në kohë, shfrytëzojeni ditën para udhëtimit për të dëgjuar muzikë relaksuese, për të lexuar një libër, për t'u çlodhur me serialet tuaja të preferuara, thjesht shkëputeni nga ngutja e jetës së përditshme dhe trupi juaj do të jetë më i gatshëm për pushim. /Revista City
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.