Infektimi i përsëritur me COVID-19 duket se rrit shanset që një person të përballet me probleme të reja dhe ndonjëherë të zgjatura shëndetësore pas riinfektimit, sipas studimit të parë mbi rreziqet shëndetësore të riinfeksionit.
Studimi, i cili bazohet në të dhënat shëndetësore të më shumë se 5.6 milionë njerëzve të trajtuar në Sistemin Shëndetësor VA, zbuloi se, krahasuar me ata me vetëm një herë të prekur me COVID-19, ata me dy ose më shumë infektime të dokumentuara kishin më shumë se dyfishin e rrezikut të vdesin dhe trefishin e rrezikut për t'u shtruar në spital brenda gjashtë muajve nga infektimi i tyre i fundit. Ata gjithashtu kishin rreziqe më të larta për probleme me mushkëri dhe zemër, lodhje, çrregullimet e tretjes dhe veshkave, diabeti dhe probleme neurologjike.
Gjetjet vijnë pasi një valë e re e varianteve të koronavirusit, veçanërisht BA.5 e Omicronit, janë bërë dominuese në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, duke bërë që rastet dhe shtrimet në spital të rriten edhe një herë, raportoi CNN të martën.
Ziyad Al-Aly, një epidemiolog klinik në Universitetin e Washingtonit tha se vendosi ta bënte studimin pasi pa se riinfeksionet po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mesin e pacientëve të tij.
"Nëse do të më pyesnit për riinfeksionin ndoshta një vit e gjysmë më parë, unë do t'ju thosha se ndoshta kam një pacient këtu ose atje, por është me të vërtetë, me të vërtetë e rrallë", tha ai.
"Pra, ne bëmë një pyetje të thjeshtë që nëse keni pasur COVID-in më parë dhe tani jeni në infeksionin tuaj të dytë, a shton vërtet rrezik kjo? Dhe përgjigja e thjeshtë është se po”.
Diagnozat e reja të zakonshme pas riinfeksioneve përfshinin dhimbje gjoksi, ritme jonormale të zemrës, sulme në zemër, inflamacion të muskujve të zemrës ose qeskës rreth zemrës, dështim të zemrës dhe mpiksje gjaku. Problemet e zakonshme të mushkërive përfshinin gulçim, oksigjen të ulët në gjak, sëmundje të mushkërive dhe akumulim të lëngjeve rreth mushkërive, tha Al-Aly.
Al-Aly tha se nuk do të thotë se nuk ka persona që janë prekur disa herë me virus dhe janë mirë; ka shumë prej tyre. Studimi tregon që secili infektim i ri sjell rreziqe të reja, dhe ai rrezik shtohet me kohën, tha ai.
© KOHA.