Shumë njerëz mendojnë se të hanë ushqim ndërkohë që qëndrojnë në këmbë nuk është diçka për t’u shqetësuar. Por a ndikon kjo mënyrë e të ngrënit në procesin e tretjes së ushqimit? Ky zakon i ka të mirat dhe të këqijat e tij.
Përfitimet e të ngrënit në këmbë
Për disa njerëz, qëndrimi në këmbë gjatë ngrënies mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të refluksit të acidit.
Refluksi i acidit ndodh kur presioni i shtuar në stomak bën që përmbajtja e stomakut të kthehet në ezofag. Kjo shkakton një ndjesi djegieje në mes të gjoksit (urth) ose në fyt, shije të thartë në gojë dhe gromësira.
Rreziku i refluksit acid rritet kur një person shtrihet direkt pas ngrënies, sepse në këtë pozicion ushqimi dhe acidi mund të rrjedhin lehtësisht nga stomaku në fyt. Në të kundërt, pozicioni në këmbë ushtron më pak presion në stomak. Kjo do të thotë se është më pak e zakonshme që të ndodhë refluksi.
Pse mund të jetë e dëmshme?
Mund të shkaktojë gazra dhe fryrje
Në aspektin fiziologjik, nëse dikush qëndron në këmbë ndërsa ha, gjaku grumbullohet te këmbët e tyre dhe kjo zvogëlon rrjedhjen adekuate të gjakut në zorrë, aty ku është i nevojshëm për tretjen. Kjo do të shkaktojë tretje të dobët të karbohidrateve, gjë që mund të çojë në gazra dhe fryrje.
Për më tepër, njerëzit që hanë në këmbë zakonisht priren të hanë shpejt. Dhe kjo rrit shanset për të gëlltitur më shumë ajër dhe të shkaktojë gaz shtesë në bark.
Mund të çojë në mbingrënie
Njerëzit që hanë në këmbë zakonisht priren të përtypen më shpejt dhe ky ritëm i shpejtë mund të nxisë mbingrënien për disa arsye.
Së pari, qëndrimi në këmbë gjatë ngrënies zakonisht pasohet nga lëvizje, gjë që promovon një tretje më të shpejtë dhe si rrjedhojë mund t’ju marrë uria edhe më shpejt.
Së dyti, kur hahet shpejt dhe në këmbë, personat janë më të prirur të shpërqendrohen. Dhe kur nuk janë të përqendruar gjatë ngrënies ose nuk shijojnë çdo kafshatë, ka gjasa që të mos ndihen të ngopur.
Nga ana tjetër, sa më gjatë të përtypen, aq më pak ka gjasa që të hanë më tepër ushqim. /agroweb