Lifestyle

Shkencëtarët: Së shpejti do të jetë e mundur të jetohet deri në 200 vjet

Ka shumë mite për njerëzit që gjejnë burimin e rinisë së përjetshme, por ato mbesin vetëm mite.

Biologu danez, Nicklas Brendborg, ka shkruar një libër rreth mistereve të plakjes dhe ka përmendur edhe një lloj bio-inxhinierie e teknologjisë së lartë, që mund ta zgjasë jetën e njerëzve deri në 200 vjet e më shumë, shkruan “Daily Mail” të hënën. Bëhet fjalë për të ardhmen dhe në raportin e gazetës angleze nuk janë dhënë më shumë detaje për këtë.

Por, a do të ishte një gjë e mirë kjo në një planet tashmë të mbipopulluar? A duhet bërë përpjekje për ta zgjatur jetën e njeriut apo më mirë të rritet cilësia e jetesës për aq sa jetojnë tash njerëzit?

Bëhet e ditur se vetëm një e treta e jetëgjatësisë është e trashëgueshme, pjesa tjetër varet nga dieta, gjumi dhe sasia e stresit.

Për jetëgjatësi sa më të madhe, ndër këshillat e shkruara në këtë libër është reduktimi i pilulave antioksidante, të cilat nxisin rritjen dhe përhapjen e disa llojeve të kancerit në vend që t’i kufizojnë ato.

Një tjetër këshillë është edhe aktiviteti fizik.

“Trupi juaj pompon saktësisht sasinë e duhur të antioksidantëve, dërgon lëndë ushqyese shtesë për të riparuar muskujt dhe zemra bëhet më e fortë. Por, nuk duhet të vraponi drejt rraskapitjes pasi mund ta lini sistemin imunitar të dobësuar për ditë të tëra”, thuhet në librin e Brendborgut.