Lifestyle

Përfitimet e mëdha nëse konsumoni brokolin e pagatuar

brokoli

Brokoli është një ndër perimet më të pasura me vlera ushqyese. Por shpesh mënyra e konsumimit të brokolit, në formën e gatuar bën që shumë vlera ushqyese të humbin.

Shumë minerale, vitamina dhe vlera të tjera humbin gjatë gatimit, vlera të cilat janë shumë të dobishme për shëndetin e organizmit.

Sa më shumë ujë të përdorni për gatimin e brokolit aq më shumë vitamina të këtij perimi do të humbin.

Rekomandimi i shumë dietologëve është që brokoli të konsumohet i gatuar pak apo pagatuar.

Në rastin e fundit, lulet e brokolit pastrohen mirë, ndahen në pjesëza të vogla, marinohen me vaj ulliri, kripë e lëng limoni dhe konsumohen në formën e sallatës.

Në këtë rast bëni kujdes që të konsumoni jo sasi të mëdha të tyre veçanërisht për personat që kanë probleme me stomakun dhe tretjen.

Vlerat që përfiton organizmi

Brokoli është një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.

Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.

Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.

Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.

AgroWeb.org ju tregon se tek brokoli gjeni edhe luteinë, zeaksanthinë, beta karoten dhe shumë antioksidantë të tjerë të fuqishëm.

Imunitet i fortë, shëndet i fortë

Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.

Procesi i detoksifikimit mbështetet nga substanca si glukorafanina, glukonasturtina dhe glukobrasicina, të cilat aktivizojnë, neutralizojnë dhe eliminojnë ndotësit e dëmshëm të organizmit.

Për më tepër, brokoli përmban isothiocinates që mbajnë nën kontroll procesin e detoksifikimit në nivel gjenetik.

Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekulli për zemrën.

Vlerat anti-inflamatore të brokolit e bëjnë atë të rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut nga problemet që shkaktohen nga sëmundjet kronike që kanë lidhje me sheqerin e gjakut.

Nëse e keni të vështirë ta konsumoni të pagatuar, mundohuni ta gatuani sa më pak, në mënyrë që të maksimizoni potencialin e tij ushqyes. Mjafton ta gatuani për një kohë shumë të shkurtër me avull./AgroWeb.org