Lifestyle

Ekspozimi ndaj dritës gjatë gjumit mund të çojë në obezitet dhe sëmundje të tjera, thotë studimi

Një studim i ri ka gjetur se edhe drita më e zbehtë mund ta prishë gjumin, duke rritur edhe rrezikun për probleme shëndetësore te më të moshuarit.

“Ekspozimi ndaj çdo sasie drite gjatë periudhës së gjumit ishte i lidhur me përhapjen më të lartë të diabetit, obezitetit dhe hipertensionit, si te burrat ashtu edhe te gratë e moshuara”, ka thënë për CNN autorja e studimit, Phyllis Zee, profesoreshë në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern në Çikago, transmeton Koha.net.

“Njerëzit duhet të bëjnë çmos për të shmangur ose minimizuar sasinë e dritës ndaj të cilës ekspozohen gjatë gjumit”, ka shtuar ajo.

Një studim i publikuar në fillim të këtij viti nga Zee dhe ekipi i saj ekzaminoi rolin e dritës në gjumë për të rriturit e shëndetshëm në të 20-at e tyre.

Fjetja vetëm për një natë me një dritë të zbehtë, si për shembull një televizor me zërin e fikur, rriti sheqerin në gjak dhe rrahjet e zemrës së të rinjve gjatë eksperimentit në laboratorin e gjumit.

Rritja e rrahjeve të zemrës gjatë natës është treguar në studimet e mëparshme si një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës në të ardhmen dhe vdekjen e hershme, ndërsa nivelet më të larta të sheqerit në gjak janë një shenjë e rezistencës ndaj insulinës, e cila përfundimisht mund të çojë në diabetin e tipit 2.

“Drita e zbehtë depërtoi në qepalla dhe prishi gjumin te të rinjtë, pavarësisht faktit se pjesëmarrësit flinin me sy të mbyllur”, ka thënë ajo.

Studimi i botuar të mërkurën në revistën “Sleep”, u fokusua te të moshuarit të cilët "tashmë janë në rrezik më të lartë për diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare, bëri të ditur bashkautori, Minjee Kim, një asistent profesor i neurologjisë në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern.

Studimi i ri nuk u krye në një laborator gjumi, por përdori një mjedis të botës reale. Studiuesit u dhanë 552 burrave dhe grave midis moshës 63 dhe 84 vjeç një aktigraf, një pajisje e vogël në formë të orës së dorës që mat ciklet e gjumit dhe ekspozimin ndaj dritës.

“Ne në fakt po matim sasinë e dritës së cilës personi i ekspozohet, me një sensor në trupin e tij dhe e krahasojmë atë me aktivitetin e gjumit dhe zgjimit gjatë një periudhe 24-orëshe. Ajo që mendoj se është e ndryshme dhe e dukshme në studimin tonë është se ne kemi të dhëna vërtet objektive me këtë metodë”, ka thënë Zee.

“Ne e dimë se ata që flenë vonë kanë tendencë të kenë gjithashtu një rrezik më të lartë për çrregullime kardiovaskulare dhe metabolike", ka thënë Zee.