Një milion e gjysmë njerëz në Keni janë HIV pozitivë dhe një milion prej tyre vlerësohet se marrin ilaçet antiretrovirale.
Mirëpo, stigma e të pasurit këtë sëmundje do të thotë se shumë njerëz janë të turpëruar të mjekohen dhe t’i marrin ilaçet e nevojshme.
Përdorimi jo i vazhdueshëm i ilaçeve do të thotë se ato nuk janë efektive sa duhet.
Sipas një raporti amerikan, stigma mbetet pengesa kryesore që njerëzit të testohen në shtetet afrikane, edhe në ato ku trajtimi është i duhuri.
Tani, Kenia, Uganda dhe Afrika e Jugut janë duke testuar injektimin e ilaçeve antiretrovirale, proces që bëhet një herë në dy muaj.
Benta Agola është HIV pozitive dhe ka jetuar me sëmundjen për 21 vjet. Ajo mendon se ilaçet tani mund të merren më shpesh dhe më në privatësi.
“Jam gati për këtë ilaç dhe mezi pres ta përdor, sepse tani jam më afër që të jetoj si person normal. Nuk është kërcënim për jetën time”, ka theksuar ajo.
Ka jetuar me sëmundjen për 21 vjet, gjatë të cilave është përballur me shumë sfida, përfshirë stigmën dhe diskriminimin.
“Tani nuk do të më duhet t’i kem ilaçet në çantë. Askush nuk do ta kuptoj se jam pozitive dhe do t’i shtyj njerëzit e sëmurë, që fshihen, të dalin dhe të marrin ilaçin”, ka shtuar ajo.
Testimi i ilaçit në 160 pacientë ka nisur në Keni. Në muajin mars, pacienti i parë është injektuar me ilaçet rilpivirinë dhe cabotegravir.
Jackson Hungu, menaxher programi në Unitaid, është shprehur: “Fëmijët për nga natyra rriten shumë shpejt dhe trajtimet duhet të përshtaten për ta. Duhet të jenë të lehta për t’u konsumuar. Tani, Unitaid është ndoshta e vetmja agjenci globale e përqendruar në sigurimin e trajtimeve më të reja – që përshtaten me fëmijët – sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo vetëm nga ana e tregut, por edhe në lidhje me rritjen e shkallës në vende, duke punuar me qeveritë”.
Këto dy ilaçe janë miratuar për përdorim në Britani të Madhe dhe SHBA, mirëpo doktorët kanë thënë se duhet të testohen te popullsia afrikane.
Pacientët e testuar do të monitorohen në dy vjetët e ardhshëm.
Injektimi i ilaçeve kundër HIV-it, që planifikohet të bëhet një herë në dy muaj, pritet t’i shtyjë të infektuarit që të mjekohen më shumë.
“’Unitaid’ ka qenë i përfshirë në HIV-in pediatrik, që nga krijimi i tij në vitin 2006, qysh nga rritja e diagnozës së hershme të foshnjave të HIV-it, që nënkupton futjen e testimit të ADN-së PCR për fëmijët, për t’i identifikuar ata të cilët janë HIV pozitivë. Ka qenë gjithashtu i përfshirë në zhvillimin e barnave pediatrike, duke riformuluar barna të reja gjatë 15 vjetëve të fundit”, ka bërë të ditur Hungu.
Më shumë se 18 milionë njerëz jetojnë me HIV-in nëpër krejt botën, por gati një numër i njëjtë nuk kanë qasje në ilaçet kundër sëmundjes, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Keni, 82 mijë fëmijë në këtë shtet afrikan janë HIV pozitivë, ndërkaq 870 mijë janë gra, duke filluar nga mosha 14-vjeçare.
“Ka dallim të madh mes dhënies së tabletës ose shurupit të fëmijëve lopinavir/ritonavir, krahasuar me tabletat dolutegravir (DTG 10 mg). Më parë, fëmijët duhej t’i merrnin medikamentet dy herë në ditë. Lopinavir/ritonavir duhej ta merrnin në mëngjes dhe në mbrëmje. Shurupi nuk ishte i shijshëm, ishte i hidhur. Shija do të qëndronte për disa orë, kurse (dolutegravir DTG) duhej ta merrnin vetëm një herë në ditë. Shija nuk është e hidhur, është shumë e ëmbël”, ka shpjeguar Caroline Barete, zyrtare klinike në Lea-Toto, Kibera, Nairobi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.