Lifestyle

Beteja e shteteve me marihuanën e krijuar kimikisht

Gjatë viteve të fundit, Jonny Griffis, ka investuar miliona dollarë në fermën e tij të ligjshme të marihuanës në Miçiganin verior.

Mirëpo tani ajo fermë – si shumë të tjera të licencuara në shtetet që e kanë legalizuar marihuanën – po përballet me një kërcënim ekzistencial: komponimet e kanabisit me induktim të lartë që rrjedhin jo nga industria e marihuanës e rregulluar me ligj dhe me kosto të lartë, mirëpo nga një proces kimik që përfshin pak rregullim, e çmim të ulët të kërpit të rritur.

“Do ta bëj fermën tonë të vjetërsuar”, ka dëshmuar Griffis, shefi operativ i True North Collective, para Agjencisë Rregullatore të Marihuanës në Miçigan kohët e fundit. “Ata 3 milionë dollarë që kam investuar… do të shkojnë huq”.

Në qendër të kësaj çështjeje është THC-ja, përbërësi kryesor dehës i marihuanës. Teksa marihuana dhe kërpi janë e njëjta bimë - kanabisi - dallimi midis të dyjave është ligjor dhe zbret në sasinë e THC në bimë, veçanërisht në sasinë e një lloji THC të quajtur delta-9.

Mirëpo, që kur Kongresi ka miratuar projektligjin e fermës në vitin 2018, duke e autorizuar rritjen e kërpit në mbarë vendin, ka pasur pasoja të paparashikuara: atë që ata e shohin si zbrazëti në ligj, e kanë shfrytëzuar duke nxjerrë nga kërpi një përbërës jo dehës të quajtur CBD dhe e kanë ndryshuar kimikisht – përgjithësisht me shtimin e tretësve dhe nxehtësisë- duke krijuar lloje të ndryshme të THC-së dëmtuese.

Ndryshe nga drogat krejtësisht artificiale, shpesh të rrezikshme të njohura si K2 ose Spice e të quajtura “marihuanë sintetike”, THC-ja e krijuar kimikisht në fjalë këtu përbëhet nga molekula që gjenden natyrshëm në kanabis, megjithëse ndonjëherë në sasi shumë të vogla. Është shumë më lirë të prodhosh THC kimikisht nga kërpi, sesa ta nxjerrësh atë nga marihuana.

Për shkak se rrjedh nga kërpi, THC-ja shpesh e një forme të quajtur delta-t – mund të përfundojë si karamele ,vajra vape a produkte të tjera që mund të shiten në pika karburanti, dyqane e në internet, madje edhe në shtetet ku marihuana është e paligjshme. Administrata e Ushqimit dhe Barnave, vitin e kaluar, ka paralajmëruar se substancat paraqesin rrezik për shkak të faktorëve të shumtë, duke përfshirë mënyrën se si tregtohen dhe për shkak të ndotjes së mundshme kur prodhohen.

Image

Të paktën 17 shtete kanë ndaluar produkte të tilla, mirëpo ato mbeten të disponueshme në shumë vende, përfshirë shtetin pionier të marihuanës legale të Washingtonit, ku shitjet e stacioneve të karburantit dhe dyqaneve të gazit të THC-së së krijuar nga kërpi ofrojnë konkurrencë në tregun e marihuanës me taksa të rënda, të rregulluara dhe të testuara. Ligjvënësit e Virxhinias e kanë miratuar këtë muaj një projekt-ligj për ta kufizuar rreptësisht sasinë e THC-së të lejuar në produktet që rrjedhin nga kërpi; Guvernatori Glenn Youngkin ende nuk e ka nënshkruar atë. Në Kentaki dhe Gjeorgji, paditë e fundit kanë kërkuar të vërtetojnë se produktet delta-8 janë të ligjshme; një gjykatës mori anën e avokatëve të kërpit atje më 28 shkurt, duke lejuar që produktet të vazhdojnë të shiten teksa ligjvënësit këtë e konsiderojnë një ndalim.

Tryeza e rrumbullakët e kërpit në SHBA, shoqatë e industrisë së kërpit, ka dënuar përdorimin e CBD-së të nxjerrë nga kërpi për të krijuar produkte dehëse, duke thënë se “minon integritetin e industrisë së kërpit dhe qëllimin e Projektligjit të Fermës 2018”.

Mbështetësit e quajnë THC-në me prejardhje kimike, ekonomike dhe miqësore me mjedisin. Kërpi mund të rritet në fusha të gjera jashtë, pa sisteme të shtrenjta ndriçimi dhe mund të ketë një gjurmë karboni më të ulët se marihuana.

Më tej, përpunuesit mund të bëjnë një produkt më të qëndrueshëm duke përdorur kiminë për të bërë THC nga CBD, kanë bërë të ditur ata, dhe rregullatorët nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e inovacioneve të tregut ose të zgjedhin fituesit dhe humbësit në industri. Ata e krahasojnë atë me vaniljen ose kafeinën e krijuar në mënyrë sintetike të shtuar në ushqim dhe pije.

“Shumica e kultivuesve nuk u pëlqen ta dëgjojnë këtë, sepse mendojnë se po u largohet nga tregu i tyre, mirëpo është produkt i shkëlqyer”, ka theksuar Abe Fleishman, nga Northstar Hemp në Oregon. “Kjo u ofron kompanive mundësi për të shkallëzuar prodhimin dhe për të bërë një produkt të ri që, për mendimin tim, është më i pastër se produktet tuaja të zakonshme THC”.

Për kritikët, ende asgjë nuk është e sigurt; procesi i krijimit të saj mund të lërë pas sasi të vogla të përbërësve të paidentifikueshëm. Metoda lejon gjithashtu prodhimin e komponimeve më pak të njohura të kanabisit, efektet shëndetësore të të cilave nuk janë kuptuar mirë.

THC-ja e prodhuar kimikisht nuk ka gjasa të zëvendësojë lulen e tharë të kanabisit nga shumë njohës, por është aq e lirë për t'u bërë sa që zvogëlon në mënyrë drastike kultivuesit e marihuanës që fokusohen në tregun e ekstrakteve dhe që kanë shpenzuar shumë kohë dhe para duke u përshtatur ndaj rregullave të rrepta për industrinë e tyre.

Griffis ka shpjeguar se ai ka parë që çmimi i distilimit delta-9 të bjerë nga 50.000 dollarë për litër në 6.000 dollarë teksa THC-ja e prodhuar nga kërpi po vazhdon ta vërshojë tregun.

“Është një çështje për të cilën po mendon pothuajse çdo rregullator shtetëror i kanabisit”, ka theksuar Gillian Schauer, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Rregullatorëve të Kanabisit. “Po paraqet shumë sfida për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së konsumatorit, si dhe për mbrojtjen e tregjeve ekzistuese shtetërore të kanabisit”.

Përktheu: Blerta Haxhiu