Lifestyle

Omicron apo zero-Covid: Sa gjatë mund të durojë Kina?

Kina dhe Hong Kongu po shohin rritjen e tyre më të madhe të rasteve me Covid në më shumë se dy vjet, pavarësisht se po ndjekin me vendosmëri një nga politikat më të rrepta të eliminimit të virusit në botë.

Shumica e vendeve tani po përpiqen të jetojnë me koronavirus – mbetet të shihet sa kohë mund të mbajë Kina objektivin e saj "zero-Covid".

Vendosja e ekuilibrit

Për dy vjetët e fundit, masat e rrepta të Kinës për të përmirësuar Covidin, të zbatuara nga bllokimet e shpejta e kufizimet agresive, dukej se po jepnin rezultate të mëdha. Teksa pjesa tjetër e botës u përball me rritje të rasteve dhe vdekjeve në vitin 2020, presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar një sukses në trajtimin e vendit ndaj pandemisë përmes bllokimeve dhe testimeve të përhapura, kurse metodat që u përdorën i shpalli si më efektivet në trajtimin e virusit.

Prandaj, modeli zero-Covid u zbatua rreptësisht si në Kinën kontinentale, ashtu edhe në Hong Kong. Mirëpo gjërat shpejt filluan të ndryshojnë.

Shenjat e para të tendosjes në modelin e shumëpërfolur zero-Covid në Kinë filluan të shfaqen kur autoritetet u detyruan të imponojnë bllokime gjithnjë e më të mëdha të shkaktuara nga varianti më infektiv Delta në vitin 2021. Këto filluan të krijojnë shumë pyetje rreth asaj se sa kohë Kina mund ta mbajë këtë politikë.

Me Omicron, vetëm sa janë shtuar këto dyshime.

Në territorin e Kinës, mijëra raste tani raportohen çdo ditë dhe miliona njerëz në provincën verilindore të Jilin janë vendosur nën izolim - hera e parë që Kina kishte kufizuar një provincë të tërë që nga ditët e para të pandemisë në Wuhan.

Hong Kongu, i cili më parë ishte pothuajse i paprekur nga virusi, tani po arrin 30.000 raste dhe më shumë se 200 vdekje në ditë. Sistemi i kujdesit shëndetësor të qytetit është tejkaluar, me imazhe tronditëse të njerëzve që kanë nevojë për kujdes spitalor që marrin trajtim rudimentar jashtë objekteve mjekësore.

Është një situatë ndryshe nga çdo gjë që ka parë vendi për dy vjetët e fundit.

Rreziku nga pandemia

Image

Zyrtarisht, Qeveria kineze nuk është larguar nga pozicioni i saj zero-Covid. Megjithatë, ka pasur disa shenja që mund të jetë duke e zbutur qëndrimin e saj për mënyrën më të mirë për t'u marrë me virusin.

Në fillim të kësaj jave, Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës ka bërë të ditur se po ndryshonte rregullat e tij në mënyrë që rastet e buta të izoloheshin në vende të centralizuara, në vend që të trajtoheshin në spitale. Gjithashtu janë ulur kriteret që një pacient të dalë nga karantina.

“Në të kaluarën, Kina do ta pranonte në spital çdo pacient – qofshin ata asimptomatikë ose thjesht me simptoma të lehta”, ka thënë për BBC prof. Jin Dong-yan i Universitetit të Hong Kongut.

“Fakti që ata tani po propozojnë t’i izolojnë ata – ky është një hap për të treguar se ata e kuptojnë që ekziston një grup i madh njerëzish që nuk kanë nevojë për shumë ndihmë”.

Gjatë takimit të fundit të Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës, kryeministri kinez, Li Keqiang, ka theksuar gjithashtu se Kina do të vazhdojë ta bëjë përgjigjen e saj ndaj Covid-19 “më shkencore e më të saktë”.

“Fjalimi i kryeministrit lë të kuptohet se Qeveria është e gatshme të jetë më fleksibile dhe t’i lirojë gradualisht kufizimet”, ka sqaruar prof. Chen Gang i Universitetit Kombëtar të Singaporit.

“Sipas një politikë më dinamike, më shumë forcë do të vendoset në arritjen e një ekuilibri midis kontrollit të sëmundjeve dhe aftësimit të njerëzve për të jetuar jetë normale”.

Edhe në terren, ka pasur po ashtu ndryshime të dukshme në qëndrime.

Vitin e kaluar, epidemiologu i lartë kinez Zhang Wenhong ka sugjeruar që Kina përfundimisht do të duhej të “bashkekzistonte” me virusin. Ai u prit më një breshëri kritikash, disa madje e quanin tradhtar e të tjera duke thënë se ai po bashkëpunonte me forcat e huaja për ta minuar përgjigjen e Kinës ndaj Covid.

Mirëpo, vetëm këtë javë, dr. Zhang ka postuar një tjetër mesazh në mediat sociale kineze që mori një pritje shumë të ndryshme.

Ndërkohë që ai tha se ishte e nevojshme që Kina ta ruante strategjinë e saj zero-Covid tani për tani, ai ka shtuar se nuk duhet të ketë frikë që përfundimisht të shkojë drejt “strategjisë përballuese më të qëndrueshme” në të ardhmen.

“Me këtë virus, zbutja e frikës është hapi i parë që duhet të bëjmë”, ka theksuar ai. “Omicroni është bërë aq i butë, saqë në vendet që kanë arritur shkallë të përhapjes së vaksinimit dhe infeksionit natyror, mund të jetë më pak vdekjeprurës se edhe gripi”.

“Këtë herë, dr. Zhang nuk u prit me vitriol – por përkundrazi u lavdërua pa masë.

“Faleminderit për pikëpamjen tuaj shkencore dhe racionale mbi çështjet”, kishe shkruar dikush një koment.

Të tjerë i tregonin betejat e problemet e tyre gjatë viteve të kaluara – si shenjë e zhgënjimit në rritje pas më shumë se dy vjet bllokime.

“Këto vitet e fundit kam vuajtur shumë. Kam humbur lirinë time - gjithçka në emër të virusit”, ka thënë njëri.

Sipas profesorit Huang Yanzhong, bashkëpunëtor i lartë për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, ekziston ndjenja se “mbështetja publike për zero-Covid është në rënie”.

“Kam përshtypjen se sidomos në qytete të mëdha sikurse Shanghai, masat tashmë janë të tepruara. Ndërkohë, ka ende mbështetje të përgjithshme publike për zero-Covid - ai është duke u minuar nga vala e fundit Omicron”, ka bërë të ditur ai.