Lifestyle

Arsyeja kryesore pse nuk mund ta largoni yndyrën e barkut

Descriptive Text

Shkrirja e yndyrës së barkut mund të jetë një sfidë, por të kuptuarit e arsyes mund të jetë e dobishme për t’i arritur qëllimet tuaja shëndetësore. Ekzistojnë dy lloje të yndyrës në trup: lloji më i butë që ndodhet pikërisht nën sipërfaqe quhet ‘dhjam nënlëkurorë’. Pastaj është lloji më i fortë që ruhet më thellë në bark dhe mbështillet rreth organeve. Yndyra viscerale është lloji për të cilin duhet të shqetësoheni pasi është i lidhur me një sërë çështjesh shëndetësore, si rezistenca ndaj insulinës, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe një rrezik në rritje për kancer.

Ekspertët shpjegojnë arsyet pse nuk mund ta largoni yndyrën e barkut dhe çfarë të bëni për këtë.

Ajo që hani ka rëndësi

Shumica e njerëzve luftojnë me shkrirjen e yndyrës. Humbja e peshës është e shumanshme dhe ndryshon në bazë të shumë faktorëve. Gjenetika, shkalla metabolike, niveli i aktivitetit dhe dieta, e luajnë të gjitha një rol kyç. Llojet e ushqimeve që hamë kanë një ndikim të madh në shtimin e peshës dhe humbjen e saj. Ushqimet e pasura me karbohidrate priren të çojnë në rritjen e yndyrës së barkut dhe rezistencës ndaj insulinës. Në fund të fundit, kjo çon në diabetin e tipit 2. Shmangia e sheqernave të thjeshta të përpunuara do t’ju ndihmojë ta lergoni yndyrën e barkut. Shmangni pijet e gazuara pasi janë të mbushura me sheqerna të përpunuara.

Mungesa e aktivitetit fizik

Është e rëndësishme ta rrisni aktivitetin tuaj fizik. Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që të bëni të paktën 150 minuta në javë aktivitet aerobik me intensitet të moderuar, ose 75 minuta në javë aktivitet energjik. Çdo aktivitet i vazhdueshëm është i mirë, madje edhe ecja. Gjëja më e rëndësishme është të filloni!

Stresi

Stresi, ankthi, depresioni dhe lodhja, janë të gjithë faktorë që mund të kontribuojnë në shtimin e peshës, duke e bërë më të vështirë për ju humbjen e kilogramëve të tepërt. Kur jeni nën stres qoftë nga puna apo jeta personale, trupi priret ta mbajë peshën. Gjetja e mënyrave për të menaxhuar stresin përmes vëmendjes dhe meditimit, mund ta përmirësojë shëndetin tuaj mendor dhe të ndihmojë në reduktimin e yndyrës së barkut.

Nivelet e hormoneve

Ndërsa gratë kalojnë nga perimenopauza në menopauzë, nivelet e hormoneve që më parë u ndihmonin ta mbanin peshën nën kontroll, fillojnë të luhaten. E kombinuar me një rënie graduale të masës muskulore, yndyra viscerale priret të rritet dhe shtimi i peshës në bark është më se i zakonshëm. Rezultati përfundimtar është se shumë gra përfundojnë duke u fryrë sidomos tek pjesa e belit dhe barkut, nëse nuk janë proaktive për ta luftuar shtimin në peshë përpara se të dalë jashtë kontrollit.

Synimi i dobësimit të një zone të caktuar të trupit nuk funksionon

Sado që do të donim të ishte e vërtetë, nuk mund t’i humbim kilogramët e tepërt vetëm në zona të caktuara të trupit. Por mund të bëni ndryshime për ta arritur një peshë më të shëndetshme. Pastroni dietën tuaj duke reduktuar ushqimet e përpunuara dhe duke rritur sasinë e frutave, perimeve dhe ushqimeve të ngarkuara me fibra të cilat i konsumoni çdo ditë. Ekspertët pajtohen gjithashtu se duhet një kombinim i dietës së shëndetshme dhe ushtrimeve fizike, për të parë rezultate të kënaqshme në arritjen e peshës suaj të dëshiruar. Prandaj sugjeroheni që të filloni ta lëvizni trupin tuaj çdo ditë për të paktën 30 minuta.