“Duaje fqinjin tënd, është diçka që ne më të vërtetë e besojmë dhe dëshirojmë të jemi anëtarë të mirë të komunitetit e të jemi shembull se si mendojmë për vajzën tonë”, ka thënë nëna 40-vjeçare nga Louisville, e cila së fundmi e dërgoi Solomen në një shkollë të mesme vendëse për t’u vaksinuar. “E vetmja rrugë për ta mundur COVID-in është që të gjithë të punojmë bashkërisht për më të mirën e mundshme”
Cadell Walker shpejtoi ta vaksinojë kundër COVID-19 vajzën e saj 9-vjeçare, Solome, jo vetëm që ta mbrojë atë, por edhe ta ndalojë përhapjen e koronavirusit dhe krijimin e varianteve edhe më të rrezikshme.
“Duaje fqinjin tënd, është diçka që ne më të vërtetë e besojmë dhe dëshirojmë të jemi anëtarë të mirë të komunitetit e të jemi shembull se si mendojmë për vajzën tonë”, ka thënë nëna 40-vjeçare nga Louisville, e cila së fundmi e dërgoi Solomen në një shkollë të mesme vendëse për t’u vaksinuar. “E vetmja rrugë për ta mundur COVID-in është që të gjithë të punojmë bashkërisht për më të mirën e mundshme”.
Shkencëtarët pajtohen. Çdo infektim - qoftë te një i rritur në Jemen apo te ndonjë fëmijë në Kentucky - i jep virusit një mundësi tjetër të pësojë mutacion. Mbrojtja e një pjese të re e të madhe të popullsisë kudo në botë i kufizon ato mundësi.
Nisma amerikane
Kjo përpjekje u rrit me 28 milionë fëmijë amerikanë të moshës 5-11 vjeç, që tani kualifikohen për doza të madhësisë për fëmijë nga vaksina Pfizer-BioNTech. Hapa po ndërmerren kudo, sikurse vendimi i marrë së fundi në Austri që obligon të gjithë të rriturit të vaksinohen e madje edhe SHBA-ja autorizoi dozat e vaksinimit për të gjithë të rriturit të premten, duke ndihmuar kështu në zvogëlimin e shanseve për një infeksion të ri.
Vaksinimi i fëmijëve nënkupton gjithashtu reduktimin e përhapjes së heshtur, pasi shumica nuk kanë fare ose kanë simptoma të lehta kur kontraktojnë virusin. Sipas shkencëtarëve, kur virusi përhapet pa u parë, ai vazhdon pa u ndalur. Dhe sa më shumë njerëz ta kontraktojnë atë, aq më shumë rriten gjasat për variante të reja.
David O’Connor, ekspert i virologjisë në Universitetin e Wisconsin-Madison, e krahason infeksionin si “bileta lotarie që ne po i japim virusit”. Çmimi i fituar? Një variant edhe më i rrezikshëm sesa delta ngjitëse që po qarkullon aktualisht.
“Sa më pak njerëz të infektuar, aq më pak bileta lotarie do të ketë e aq më mirë do të jemi ne të gjithë për sa i përket gjenerimit të varianteve”, ka sqaruar ai, duke shtuar se variantet ka më shumë të ngjarë të shfaqen tek ata njerëz me sistem të dobët imunitar që e strehojnë virusin për një kohë të gjatë.
Hulumtuesit nuk pajtohen me faktin se fëmijët kanë ndikuar në rrjedhën e pandemisë. Kërkimet e hershme sugjerojnë se ata nuk kanë kontribuar shumë në përhapjen virusale. Mirëpo disa ekspertë kanë shpjeguar se fëmijët patën një rol të rëndësishëm në përhapjen e varianteve ngjitëse siç janë alfa dhe delta.
Ndryshimi i madh

Vaksinimi i fëmijëve mund të bëjë një ndryshim të madh për të vazhduar përpara, bazuar në të dhënat e Qendrës për COVID-19, Scenario Modeling Hub, një bashkësi e universiteteve dhe organizatave hulumtuese mjekësore që konsolidojnë shembuj se si mund të shpaloset pandemia. Të dhënat e fundit nga qendra tregojnë se për këtë nëntor deri më 12 mars 2022, fëmijët e vaksinuar të moshës 5-11 vjeç mund të shmangin afërsisht 430.000 raste të COVID-it në gjithë popullsinë e Shteteve të Bashkuara nëse nuk del në dritë një variant i ri. Nëse një variant, 50% më i transmetueshëm se delta shfaqet vonë gjatë vjeshtës, 860.000 raste mund të evitohen, “një ndikim i madh”, ka theksuar Katriona Shea, bashkëudhëheqëse e projektit në Universitetin Shtetëror të Pennsylvanias.
Delta mbetet dominuese për momentin, duke përbërë më shumë se 99% të ekzemplarëve të analizuar të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Shkencëtarët nuk janë saktësisht të sigurt pse kjo po ndodh. Doktor Stuart Campbell Ray, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë se në thelb mund të jetë më infektues, ose mund të jetë duke shmangur të paktën pjesërisht mbrojtjen që njerëzit e marrin nga vaksinat ose kur janë infektuar më parë.
“Me shumë gjasë është një kombinim mes këtyre dy gjërave”, ka treguar ai. “Mirëpo ekziston gjithashtu edhe dëshmi e fortë që delta është thjesht i përshtatshëm, që do të thotë se është në gjendje të rritet në nivele shumë më shpejt sesa variantet e tjera të studiuara. Kështu që, kur njerëzit infektohen me delta, bëhen infektues shumë shpejt”.
Sipas Rayt, delta është “familje e madhe” e viruseve, e bota për momentin po noton në një lloj of “super delta”
“Kemi shumë linja të deltës që qarkullojnë në shumë vende pa një fitues të ditur”, ka spikatur Ray, duke shtuar se kjo është e vështirë të dihet nga tiparet gjenetike se cilat mund të kenë një avantazh, ose cilat variante jo-delta mund ta rrëzojnë atë nga froni.
“Shpesh them se është njësoj si të shohësh një makinë të parkuar në cep të rrugës dhe me një motor të madh”, ka thënë Ray. “Mund t’ju duket sikur të ishte një konkurrent i fortë, por derisa ta shihni në pistë me makinat e tjera, nuk e dini nëse do të fitojë”.
E panjohur e madhe
Një tjetër e panjohur e madhe: Variantet e rrezikshme ende mund të rriten në vendet e mëdha të pavaksinuara nëpër botë dhe mund të arrijnë deri në Amerikë edhe pse fëmijët amerikanë iu kanë bashkuar rendit të të vaksinuarve.
Walker, nëna nga Louisville, ka treguar se ajo dhe burri i saj nuk mund të bëjnë asgjë për kërcënimet e largëta, mirëpo mund ta regjistrojnë vajzën e tyre për vaksinim në Jefferson County në fundjavën e ardhshme. Solome është e birësuar nga Etiopia dhe është e ndjeshme ndaj pneumonisë pas sëmundjeve të frymëmarrjes nga ekspozimi ndaj tuberkulozit kur ishte foshnje.
Ajo ka theksuar së dëshiron që fëmijët e tjerë të jenë të sigurt ngase “nuk është mirë të sëmuren”.
Teksa infermierja u afrua te Solomne për t’ia dhënë vaksinën, Walker mbajti dorën e vajzës dhe më pas e lavdëroi atë për zgjedhjen e një ngjitëseje që e vuri në krah pas vaksinës, tamam për një fëmijë të guximshëm që po bën pjesën e vet për të ndihmuar në frenimin e pandemisë.
“Wonder Woman”, thirri Walker. “Perfekt”.
Përktheu: Blerta Haxhiu