Fëmijët e shëndetshëm nga mosha 12 deri në 17 vjeç në Britani, këshillohen të presin 12 javë pas infektimit me koronavirus para se ta marrin dozën e vaksinës. Më parë këshillohej të ishte një hapësirë vetëm 4-javore.
Sipas Agjencisë së Sigurisë së Shëndetit në Britani, ndryshimi erdhi si masë paraprake për ta zvogëluar rrezikun për inflamacionin e zemrës.
Këshilltarët britanikë të vaksinës rekomanduan një hapësirë prej 12 javësh mes dozave, kur ata dhanë dritën e gjelbër të hënën për 16 dhe 17-vjeçarët që t’i marrin dozat e dyta.
Po dalin prova që kjo hapësirë kohore mund ta zvogëlojë rrezikun tashmë të ulët të inflamacionit të zemrës, pas vaksinimit te fëmijët, rreziku i të cilëve nga virusi është po ashtu shumë i ulët.
Agjencia theksoi se rreziku i problemit të zemrës ishte jashtëzakonisht i ulët - të dhënat e fundit sugjerojnë së nëntë raste të miokardit mund të pritet të ndodhin në fëmijë për çdo milion doza të dhëna.
Rastet e deritanishme kanë qenë të lehta dhe janë shëruar shpejt me trajtim.
Mirëpo, agjencia ka sqaruar se po ndiqte qasje më të kujdesshme duke zgjeruar hendekun e rekomanduar mes infeksionit dhe vaksinimit për ta sjellë atë në përputhje me hapësirën mes dozave.
Hapësira e gjatë kohore nuk vlen për fëmijët që konsiderohen se janë në rrezik të lartë - këtu përfshihen ata me kushte shëndetësore dhe ata që jetojnë me të rriturit e brishtë.
Fëmijët e shëndetshëm të moshës 12-15 vjeç rekomandohet të marrin vetëm një dozë për momentin, e ata të moshës 16-17 vjeç tani mund t’i marrin edhe dozat e dyta.
Deri më tani, mbi gjysma e 16-17-vjeçarëve janë paraqitur për dozën e parë dhe afërsisht një e treta e atyre nga 12 në 15 vjeç.
Përderisa këto këshillime do ta zvogëlojnë paraqitjen e programit për vaksinën, agjencia shëndetësore britanike ka shpjeguar se kjo nuk duhet të ndikojë në përhapjen e virusit, duke pasur parasysh mbrojtjen e ofruar nga infeksioni natyror. Është thënë se ky lloj infektimi ka siguruar mbrojtje të mirë kundër riinfektimit për tre deri në gjashtë muaj.
Rreth 30% e fëmijëve mendohet se kanë qenë të infektuar me COVID në muajt e fundit, bazuar në të dhënat që janë marrë nga testet e antitrupave.
Doktor Mary Ramsay, kryesuesja e imunizimeve, ka shtuar: “Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se miokarditet janë jashtëzakonisht të rralla, në çfarëdo momenti që ata marrin vaksinën, e ky ndryshim është bërë duke u bazuar në masat paraprake maksimale”.