Lifestyle

Kërkohet veprim ndaj TBC-së shkaku i shtimit të vdekjeve pas një dekade

Grupi i Udhërrëfyesit për Avokim për Vaksinat kundër TBC-së, një koalicion ky i ri organizatash, ka bërë të ditur se takimi i udhëheqësve të financave të G20-s në fund të tetorit duhet të angazhohet në pothuajse dhjetëfishimin e fondeve, pasi kurrë nuk ka tejkaluar shifrën më shumë se 120 milionë dollarë në një vit

Një grup i të mbijetuarve të tuberkulozit ka adresuar thirrje për më shumë fonde dhe që të ndërmerren veprime për të krijuar vaksina të reja ndaj sëmundjes, pasi që numri i të vdekurve nga infeksioni është rritur për herë të parë brenda 10 vjetësh.

Më 2020, 1.5 milionë njerëz kanë vdekur shkaku i TBC-së dhe 10 milionë të tjerë ishin infektuar, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka raportuar “Guardian”.

Për këtë arsye, aktivistët po kërkojnë që liderët botërorë të investojnë 1 miliard dollarë çdo vit në hulumtimet për vaksina, nxitur nga zhvillimi i shpejtë i vaksinës kundër COVID-19.

Grupi i Udhërrëfyesit për Avokim për Vaksinat kundër TBC-së, një koalicion ky i ri organizatash, ka bërë të ditur se takimi i udhëheqësve të financave të G20-s në fund të tetorit duhet të angazhohet në pothuajse dhjetëfishimin e fondeve, pasi kurrë nuk ka tejkaluar shifrën më shumë se 120 milionë dollarë në një vit.

Në një letër të hapur, të mbijetuarit e tuberkulozit nga të gjitha vendet e G20-s kanë thënë se ka ardhur koha që të mos pritet me dekada për investime të pakta në “sëmundjen e padrejtësisë”.

“Po humbasim njerëz vazhdimisht. Diagnostikimi dhe terapia e tuberkulozit janë shumë më pak se çfarë kanë nevojë njerëzit me TBC. Situata vetëm sa përkeqësohet nga pandemia COVID-19. Me vetëm një pjesë të vogël të barnave të reja kundër tuberkulozit të zhvilluara në 50 vjetët e fundit, trajtimi ende merr muaj apo vite, me shumë efekte anësore dobësuese dhe vdekjeprurëse”, thuhet në letër, raporton “Guardian”.

Në të është specifikuar gjithashtu se ekzistojnë gjashtë kandidatë premtues për vaksinat kundër TBC-së, porse fondet janë të nevojshme në mënyrë që të parandalohen vonesat.

Uvistra Naidoo, që i ka mbijetuar TBC-së dhe e ka nënshkruar letrën, ka thënë se nevoja për vaksina në mënyrë që të çrrënjosen epidemia globale dhe tuberkulozi nuk duhet të përjashtohet.

“Të gjithë e dimë po ashtu se kjo është e mundur – zhvillimi i shpejtë i vaksinave kundër COVID-19 tregon se nëse ka vullnet politik, ekzistojnë edhe burimet që e jetësojnë këtë”, ka theksuar Naidoo për gazetën britanike.

Mike Frick, bashkëdrejtues i projektit për TBC-në në Grupin e Veprimeve për Trajtim, ka thënë se qeveritë kanë shpenzuar 104 miliardë dollarë në testim dhe zhvillim të vaksinës kundër COVID-19 gjatë 11 muajve të parë të pandemisë.

“Kjo shumë është 75 herë më e madhe se shuma që qeveritë dhe investitorët e tjerë kanë shpenzuar në hulumtimet për vaksinën kundër TBS-së gjatë 11 vjetëve, prej 2005-s deri më 2019. Kjo pabarazi sinjalizon dështim të qartë të përgjegjësisë së qeverive për t’i mbrojtur të drejtat e njerëzve me tuberkuloz për progres shëndetësor dhe shkencor. Ka kohë që ne si komunitet i TBC-së kemi filluar të presim dhe të kërkojmë më shumë”, ka shtuar ai.

Në fillim të tetorit, OBSH-ja ka paralajmëruar se pandemia ka hapur rrugën për ngecje në progresin për tuberkuloz dhe se po diagnostikoheshin e trajtoheshin më pak njerëz, pasi që të gjitha burimet janë kanalizuar kah COVID-19. Fondet globale për tuberkuloz kanë shënuar rënie për 500 milionë funte nga 2019 deri në 2020.

OBSH-ja ka bërë të ditur se beson që 4.1 milionë njerëz që janë infektuar me tuberkuloz në vitin 2020 nuk janë diagnostikuar, krahasuar me 2.9 milionë një vit më parë.

Zbulimi i hershëm i TBC-së është thelbësor për shkak se rastet e pazbuluara e shtojnë rrezikun për shpërndarjen e sëmundjes. Një person mund të infektohet duke thithur një numër të vogël bakteresh, që pas disa vjetësh mund të aktivizohen. OBSH-ja vlerëson se rreth një çerek e popullsisë në botë ka tuberkuloz të fshehtë.