Lifestyle

Antidepresivi i lirë, premtues në trajtimin e hershëm të COVID-19

Studiuesit kanë testuar ilaçin fluvoxamine, që përdoret për trajtimin e depresionit dhe çrregullimit obsesiv-kompulsiv, ngase ai njihej se e redukton inflamacionin dhe kishte rezultuar premtues në studime më të vogla. Rezultatet e testimit studiuesit i kanë ndarë me Institutet Kombëtare amerikane për Shëndet, të cilët i publikojnë udhëzimet për trajtim, dhe shpresojnë se do të marrin rekomandim edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Një antidepresiv i lirë ka ndikuar në uljen e rrezikut nga shtrirja në spital mes të rriturve më të rrezikuar nga COVID-19, ka treguar të enjten një studim i ri me ilaçet ekzistuese që mund të ridestinohen për përdorim në trajtimin e infeksionit me koronavirus.

Studiuesit kanë testuar ilaçin e përdorur për trajtimin e depresionit dhe çrregullimit obsesiv-kompulsiv ngase njihej se e redukton inflamacionin dhe kishte rezultuar premtues në studime më të vogla. Rezultatet e testimit, studiuesit i kanë ndarë me institutet kombëtare amerikane për Shëndet, të cilët i publikojnë udhëzimet për trajtim dhe shpresojnë se do të marrin rekomandim edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Nëse OBSH-ja e rekomandon, atëherë do të shohim që do të merret gjerësisht”, ka thënë bashkautori i studimit, Edward Mills, nga Universiteti McMaster në Hamilton të Ontarios, duke shtuar se shumë vende të varfra veçse e kanë në disponim këtë ilaç.

“Shpresojmë se kjo gjë do të hapë rrugën për shpëtimin e shumë jetëve”.

Ilaçi, i quajtur fluvoxamine, do të kushtonte 4 dollarë për një trajtim ndaj COVID-19. Për krahasim, trajtimi me antitrupa IV kushton rreth 2.000 dollarë, ndërsa tableta eksperimentale antivirale e “Merckut” për COVID-19 kap vlerën prej 700 dollarësh për një trajtim. Disa ekspertë kanë parashikuar se trajtime të ndryshme do të përdoren në kombinim për luftën ndaj koronavirusit.

Studiuesit e kanë testuar antidepresivin te përafërsisht 1.500 brazilianë të porsainfektuar me virus, të cilët ishin në rrezik që të sëmureshin rëndë shkaku i problemeve të tjera shëndetësore, si diabeti.

Rreth gjysma e tyre kanë marrë antidepresivin në shtëpi për 10 ditë, ndërsa të tjerët një ilaç tjetër. Ata janë trajtuar për katër javë për të parë se kush ka përfunduar në spital apo ka kaluar kohë të gjatë në emergjencë, kur spitalet ishin të mbushur plotë.

Mes grupit që e mori ilaçin, 11 për qind kanë pasur nevojë për spitalizim apo qëndrim të gjatë në qendra shëndetësore, krahasuar me 16 për qind syresh që e morën një ilaç tjetër.

Rezultatet, të publikuara të enjten në revistën “Lancet Global Health”, ishin aq të forta saqë ekspertët e pavarur që e monitoruan studimin e rekomanduan ndërprerjen e hershme pasi që të dhënat ishin të qarta.

Tani mbetet të shqyrtohet çështja e dozimit, nëse pacientët me rrezikshmëri më të ulët mund gjithashtu të përfitojnë dhe nëse ilaçi mund të kombinohet me trajtimet e tjera.