Lifestyle

Çfarë duhet ditur rreth vaksinave anti-COVID te fëmijët

Vaksina kundër COVID-19 e zhvilluar nga kompanitë partnere “Pfizer”\”BioNTech” ka gjasa që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë në dispozicionin e fëmijëve të moshave prej 5 deri në 11 vjeç deri në fillim të nëntorit. FDA-ja do ta shqyrtojë rekomandimin e tyre me një komitet të këshilltarëve të jashtëm, pasi që paneli të takohet. Ka gjasa që përdorimi i kësaj vaksine madje të autorizohet brenda vetëm pak ditësh

Administrata Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) është duke e shqyrtuar mundësinë për ta autorizuar përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç.

Vaksina e zhvilluar nga kompanitë partnere “Pfizer” dhe “BioNTech” ka qenë në dispozicion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fëmijët nga mosha 12 deri në 15 vjeç që nga maji.

Agjencia e lajmeve Associated Press shpalos hollësitë mbi ato që duhet ditur rreth vaksinave dhe fëmijët.

Kur do të jenë në dispozicion vaksinat për 5 deri 11-vjeçarët?

Vaksinat ka gjasa që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë në dispozicionin e fëmijëve të moshave prej 5 deri në 11-vjeçare deri në fillim të nëntorit. FDA-ja do ta shqyrtojë rekomandimin e tyre me një komitet të këshilltarëve të jashtëm, pasi që paneli të takohet. Ka gjasa që përdorimi i kësaj vaksine madje të autorizohet brenda vetëm pak ditësh.

Drejtori i Qendrave amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do ta marrë vendimin përfundimtar, pasi që paneli i këshilltarëve ekspertë të fushës të takohet për të diskutuar administrimin e vaksinave më 2 dhe 3 nëntor.

Ndërkaq vaksinat, varësisht prej shteteve amerikane, do të jenë të disponueshme nëpër ordinanca, barnatore dhe shkolla.

A është vaksina e njëjtë me atë për të rritur?

Image

Vaksina që do të përdoret mes me të vegjëlve është e njëjta sikurse ajo te të rriturit, porse do të administrohet në dozë më të ulët.

Kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë kërkuar autorizim për një dozë prej 10 mikrogramësh, që përkon me një të tretën e dozës që u administrohet personave mbi 12 vjeç. Vaksina përsëri do të jetë e ndarë në dy doza, të cilat do të jepen me tri javë ndërmjet.

Brittany Kmush, epidemiologe dhe profesoreshë në Universitetin e Sirakuzës, ka thënë se doza bazohet në moshë dhe jo në peshë të fëmijëve.

“Vaksinat dallojnë nga ilaçet në strategjinë e dozimit dhe kanë të bëjnë më shumë me pjekurinë e sistemit imunitar sesa me peshën ose metabolizmin”, ka thënë ajo.

A është e sigurt?

Të dhënat e sigurisë nga më shumë se 3,000 fëmijë që e morën vaksinën e “Pfizerit” në testimin klinik me 4,500 pjesëmarrës ishin përgjithësisht të krahasueshme me ato për moshat 16-25-vjeçare. Efektet anësore më të zakonshme te fëmijët ishin ethet, dhembjet e kokës dhe të dridhurat, të cilat përgjithësisht raportoheshin më rrallë dhe janë më të lehta sesa te fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç.

Të dyja vaksinat, si ajo e “Pfizer/BioNTech” ashtu edhe e “Modernas”, janë ndërlidhur me raste të rralla të inflamacionit të zemrës, miokardi, veçanërisht te meshkujt e rinj.

Megjithëkëtë, “Pfizeri” ka sugjeruar se shkalla e miokarditit në këtë grupmoshë ka të ngjarë që të jetë më e ulët sesa që është vërejtur te 12-15-vjeçarët e vaksinuar pjesërisht për shkak të dozës më të ulët.

A funksionon vaksina?

“Pfizer” dhe “BioNTech” kanë njoftuar gjatë muajit të shkuar se vaksina e tyre kundër COVID-19 ka nxitur reagimin imunitar te 5-11-vjeçarët, në studimet e tyre klinike.

Kompanitë gjithashtu kanë bërë të ditur se vaksina ka treguar 90.7 për qind efikasitet kundër COVID-19 mes po të njëjtit grup.

Vaksinimi pediatrik është mjet i shëndetit publik për t’i parandaluar sëmundjet infektive, madje edhe ato që nuk kanë shkallë të lartë të mortalitetit apo të spitalizimit te fëmijët. Fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë i kanë marrë vaksinat për sëmundje që kanë nivele të ngjashme apo më të ulëta të mortalitetit te fëmijët, si hepatiti A, lija e dhenve, rubeola dhe rotavirusi.

Përktheu: Liridona Bytyçi