Sa shqisa ka një njeri i zakonshëm? Duke supozuar se i barazojmë shqisat me receptorët e tyre, siç janë retinat e syve dhe kokleja tek veshët, atëherë përgjigjja tradicionale ndaj kësaj pyetjeje është pesë: shikimi, dëgjimi, prekja, nuhatja dhe shijimi.
Ato quhen shqisat “eksteroceptive”, pasi mbledhin informacione për botën e jashtme. Por trupi jonë ka gjithashtu receptorë për ngjarjet që ndodhin brenda nesh, si rrahja e zemrës, zgjerimi i mushkërive, zhurmat në stomak dhe shumë lëvizje të tjera, për të cilat nuk jeni plotësisht të vetëdijshëm.
Ato janë grupuar tradicionalisht së bashku nën një term tjetër, të quajtur “interoceptim”.
Megjithëkëtë, përgjigjja e duhur për këtë pyetje është komplekse dhe interesante. Së pari, trupi përmban receptorë që mbledhin dhe bartin lloje të tjera informacioni, si temperatura, të cilat zakonisht nuk i konsiderojmë si shqisa.
Po ashtu, disa nga receptorët që ka trupi ynë përdoren për më shumë sesa një rol. Për shembull retinat e syve janë portat e hyrjes së valëve të dritës që na nevojiten për të parë. Por disa qeliza retinale e informojnë gjithashtu trurin tonë nëse është ditë apo natë.
Ky “kuptim i ditës/natës” është baza e ritmeve cirkadiane, të cilat ndikojnë në metabolizëm dhe ciklin e gjumit/zgjimit. Edhe shqisat që duken më themelore, siç është shikimi, janë të ndërthurura ngushtë me shqisat e tjera që duken të ndara.
Për shembull, del se ajo që shihni dhe mënyra si e shihni është e lidhur me gjurmimin e rrahjeve të zemrës nga truri juaj, që është pjesë e interoceptimit. Në momentet kur zemra kontraktohet dhe e shtyn gjakun drejt arterieve, truri merr më pak informacione vizuale nga bota.
Ndërkaq truri i ndërton shqisat për të cilat nuk kemi receptorë. Shembujt të tillë janë shija, të cilën truri e ndërton nga të dhënat shijuese (shija) e nuhatëse (aroma), si dhe lagështia, e cila krijohet nga prekja dhe temperatura.
Në fakt, truri ndërton gjithçka që shohim, dëgjojmë, nuhatim, shijojmë dhe ndiejmë duke përdorur më shumë sesa thjesht të dhënat shqisore nga receptorët e trupit. Për shembull valët e dritës nuk hyjnë thjesht në sytë e njeriut, por ato udhëtojnë në tru si sinjale elektrike dhe pas kësaj ne mund të shohim.
Në fakt truri parashikon atë që mund të shohim para se kjo gjë të ndodhë, bazuar në përvojën e kaluar, gjendjen e trupit dhe situatën aktuale. Ai i kombinon parashikimet e tij me të dhënat e kuptimit që kanë ardhur nga retinat e syve, për ta ndërtuar përvojën vizuale të botës përreth jush.