Lifestyle

“Moderna” refuzon ta ndajë recetën e vaksinës së saj anti-COVID

Në një intervistë për “The Associated Press”, Noubar Afeyan ka përsëritur edhe një zotim që “Moderna” e kishte bërë një vit më parë për të mos e zbatuar shkeljen e patentës ndaj të tjerëve që kanë zhvilluar vaksina kundër koronavirusit gjatë pandemisë

Kompania farmaceutike “Moderna” nuk e ka në plan që ta ndajë recetën e vaksinës së saj kundër COVID-19, për shkak se zyrtarët ekzekutivë kanë nxjerrë përfundim se shtimi i prodhimit në kompani është mënyra më e mirë për t’i shtuar furnizimet globale, ka thënë të martën udhëheqësi i kompanisë.

Në një intervistë për “The Associated Press”, Noubar Afeyan ka përsëritur edhe një zotim që “Moderna” e kishte bërë një vit më parë për të mos e zbatuar shkeljen e patentës ndaj të tjerëve që kanë zhvilluar vaksina kundër koronavirusit gjatë pandemisë.

“Nuk duhej ta bënim këtë”, ka thënë Afeyan. “Mendojmë se ishte gjëja e duhur dhe e përgjegjshme për ta bërë. Duam t’i ndihmojmë botës”.

Agjencia Shëndetësore e Kombeve të Bashkuara i ka bërë presion “Modernas” për ta ndarë formulën e saj të vaksinës.

Afeyan ka thënë se kompania e ka analizuar çështjen nëse do të ishte më mirë që ta ndanin teknologjinë e ARN-së dhe ka vendosur që mund ta zgjerojë prodhimin dhe të prodhojë me miliarda doza shtesë të kurës deri në vitin 2022.

“Brenda gjashtë deri nëntë muajve të ardhshëm, mënyra më e besueshme për të bërë vaksina të cilësisë së lartë dhe në një mënyrë efikase do të ishte nëse ne vetë i bëjmë ato”, ka thënë Afeyan për Associated Press.

I pyetur rreth thirrjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të agjencive të tjera shëndetësore, ai ka pretenduar se lutjet e tilla supozonin se “ne nuk mund të kishim kapacitet të mjaftueshëm, por në fakt ne e dimë se mundemi”.

“Kompania ‘Moderna’ ka kaluar nga mosprodhimi te prodhimi i 1 miliard dozave në më pak se një vit”, ka thënë Afeyan, duke iu referuar sprintit të kompanisë me seli në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta zhvilluar vaksinën dhe për të prodhuar doza në sasi të mëdha.

“Dhe mendojmë se do të jemi në gjendje të shkojmë nga 1 në 3 miliardë në vitin 2022. Mendojmë se po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar gjatë kësaj pandemie”, ka shtuar Afeyan, duke përmendur rritjen e prodhimit përbrenda kompanisë dhe zotimin për shkeljen e patentave.

Ai vuri në dukje se 2.5 miliardë dollarë (rreth 2.1 miliardë euro) dhe 10 vjet janë shpenzuar në zhvillimin e platformës që e ka krijuar vaksinën kundër COVID-19.

“Të tjerët u bashkuan në gjueti kur erdhi COVID-19 dhe jemi të lumtur të shohim që kapaciteti është rritur në mënyrë të konsiderueshme përtej asaj që ‘Moderna’ do të kishte qenë në gjendje të bënte”, ka thënë Afeyan për agjencinë e lajmeve.

I pyetur se sa të suksesshëm mendonte se mund të ishin të tjerët po qe se fillonin nga e para duke përdorur patentat e “Modernas”, ai nuk pranoi të spekulonte.

Mirëpo ai ka shtuar se është e vështirë të imagjinonte se ata do të ishin në gjendje të merrnin ndonjë shkallë kuptimplote në një kornizë të shkurtër kohore me cilësinë që “Moderna” do të ishte në gjendje të bënte me siguri për 2022.

Duke folur lidhur me kritikat e fundit se “Moderna” po furnizonte me vaksina kryesisht vendet e pasura, gjersa vendet me të ardhura të ulëta po bërtasin ta kenë kurën, Afeyan ka thënë se kompania i ka furnizuar “goxha kënaqshëm” vendet më të varfra, kryesisht nëpërmjet punës me Qeverinë amerikane, që ka bërë marrëveshje me kompaninë për doza, qysh në fillim të pandemisë.

Gjiganti farmaceutik është duke punuar me disa qeveri “për t’iu ndihmuar që të sigurojnë doza me qëllim që t’i shpërndajnë te vendet me të ardhura të ulëta”, ka thënë Afeyan, që është edhe bashkëthemelues i “Modernas”.

Vetë “Moderna” i ishte zotuar në maj “Covaxit”, programit mbështetës për vaksina të OKB-së, që të organizohet që 500 milionë doza të drejtohen për në vendet e varfra. Ai ka thënë se me gjasë 40 milionë doza do të niseshin gjatë tre muajve të fundit të këtij viti, kurse pjesa tjetër do të mbetej për vitin e ardhshëm.

Vaksina kundër COVID-19 është i vetmi produkt komercial i “Modernas”. Kompania ka publikuar planet javën e kaluar për të hapur fabrikë të vaksinave në Afrikë.

Afeyan ka thënë se shpreson se së shpejti do të merret vendimi për vendndodhjen e saktë të fabrikës. Mirëpo ndërtimi dhe funksionimi i kompanisë mund të marrin vite të tëra.

Përgatiti: Liridona Bytyçi

Image