Lifestyle

Inteligjenca Artificiale krijon kombinimin efikas të ilaçeve ndaj kancerit të trurit te fëmijët

“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale premton që të ketë ndikim transformues në zbulimin e ilaçeve”, ka thënë profesori Kristian Helin, shef ekzekutiv i “The Institute of Cancer Researcg” (ICR) në Londër, ku një ekip shkencëtarësh, mjekësh dhe analistësh të të dhënave janë përfshirë në zbulim

Shkencëtarët e kanë përdorur me sukses Inteligjencën Artificiale në krijimin e një regjimi të ri ilaçesh për fëmijët që vuajnë nga një formë vdekjeprurëse e kancerit në tru, shkalla e mbijetesës e së cilës nuk është përmirësuar për më shumë se gjysmë shekulli.

E arritura e madhe, e shpalosur në revistën shkencore “Cancer Discovery”, pritet përfshihet në epokën e re “ngacmuese”, në të cilën Inteligjenca Artificiale mund të shfrytëzohet për shpikjen dhe zhvillimin e trajtimeve të reja për të gjitha format e kancerit, kanë thënë ekspertët, duke folur për të përditshmen britanike “Guardian”.

“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale premton që të ketë ndikim transformues në zbulimin e ilaçeve”, ka thënë profesori Kristian Helin, shef ekzekutiv i “The Institute of Cancer Researcg” (ICR) në Londër, ku një ekip shkencëtarësh, mjekësh dhe analistësh të të dhënave janë përfshirë në zbulim. “Në këtë studim, përdorimi i IA-së ka identifikuar një kombinim ilaçesh që duket se është premtues në aspektin e trajtimit të ardhshëm për fëmijët me kancer të pashërueshëm në tru. Është ngazëllyese të mendohet se kjo formë do të shndërrohet në një prej shembujve të parë të trajtimit të propozuar nga Inteligjenca Artificiale dhe që do t’u sjellë dobi pacientëve”.

“Guardian” ka raportuar se ekspertët e kompjuterëve dhe ata të sëmundjes së kancerit në ICR dhe në “Foundation Trust” të NHS-së kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për kuptuar nëse kombinimi i ilaçit everolimus me një tjetër, të quajtur vandetanib, mund të trajtojë formën e rrallë dhe me zhvillim të shpejtë të tumorit në tru, të njohur si DIPG, mes fëmijëve.

Aktualisht, DIPG-ja dhe format e tjera të ngjashme të tumoreve janë jashtëzakonisht vështirë që t’i hiqen me anë të intervenimeve kirurgjikale ngase janë të përhapur, gjë kjo që do të thotë se nuk kanë kufij të definuar saktësisht dhe të qëndrueshëm për operim.

Por pas kërkimit të të dhënave mbi ilaçet ekzistuese, ekipi ka zbuluar se everolimusi mund ta fuqizojë kapacitetin e vandetanibit për të “depërtuar” nëpër kufijtë e trurit dhe trajtuar kancerin.

Ky kombinim, sipas ekspertëve të cituar nga “Guardiani”, është dëshmuar efikas mes minjve dhe tani pritet që të testohet edhe te fëmijët. Ekspertët shpresojnë që të ndërmarrin testime mes një grupi më të madh fëmijësh në kuadër të testimeve madhore klinike.

“Kërkimet kanë treguar se kombinimi i këtyre dy ilaçeve e zgjat jetëgjatësinë te minjtë për 14 për qind, krahasuar me ata që i janë nënshtruar trajtimit standard”, ka raportuar gazeta britanike mbi të dhënat e studimit.

Mjeku Fernando Caceller, konsulent në pediatri dhe në neuro-onkologjinë e adoleshentëve, ka thënë se arritura është “trimëruese” dhe i lartëson mundësitë për “përdorimin e Inteligjencës Artificiale” në gjetjen e “kurave” për kancerin.