Lifestyle

Mbretëria e Bashkuar, larg neutralitetit të karbonit

Foto: Reuters

Allegra Stratton ka thënë se emetimet e karbonit duhet të ndryshojnë “që tani”, po qe se Mbretëria e Bashkuar që do ta arrijë synimin për zero emetime deri më 2050

Synimi i Mbretërisë së Bashkuar për ta trajtuar krizën klimatike duke i reduktuar emetimet e karbonit deri në neutralitet nga viti 2050 qëndron “tepër larg”, ka thënë zyrtarja kryesore e kryeministrit, Boris Johnson, për ndryshimet klimatike.

Allegra Stratton, ish-sekretare për shtyp e kryeministrit britanik, ka thënë se “shkenca ka bërë të qartë” se Mbretëria e Bashkuara duhet që ta ndryshojë prodhimin e emetimeve të karbonit “që tani”.

Duke folur për emisionin “World This Weekend”, Stratton ka thënë se me aq sa është në dijeni, ekziston një plan 10-pikësh për një revolucion të gjelbër industrial.

“Kompanitë FTSE 100 janë zotuar për neutralizim të karbonit, dhe jo vetëm ato, por NHS-ja dhe spitalet në vend vazhdojnë të thonë: ‘E dini çfarë, edhe ne duhet të bëjmë diçka’”, ka theksuar Stratton për të përditshmen britanike “The Guardian”. “Dhe mendoj se në këtë pikë, nga e cila të gjithë ne e shohim se nuk jemi duke vepruar vetë, çdo pjesë e shoqërisë është duke ecur radhazi drejt neutralizimit të karbonit më 2050… por të jemi të sinqertë, kjo gjë është tepër larg”.

Sipas Guardianit, ajo i ka trimëruar njerëzit që ta “vërejnë urgjencën e madhe tani” përderisa Mbretëria e Bashkuar përgatitet për samitin e Cop26 në Glasgow në nëntor.

Britania ka si objektiv reduktimin për 68 për qind të emetimeve deri në vitin 2030 dhe me 78 për qind deri në vitin 2035. Qëllimi i saj është që të arrihet neutraliteti i karbonit deri në vitin 2050.

Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë i madh i industrializuar në botë që e bëri objektivin e vitit 2050 në ligj më 2019 dhe synon t’i bindë vendet e tjera që ta ndjekin këtë shembull në samitin e ndryshimeve klimatike, të cilin Johnson do ta kryesojë.

“Ajo që duhet të bëjmë më shpejt - shkenca e ka bërë të qartë – është ta ndryshojmë prodhimin e emetimeve të karbonit tani, në mënyrë që të mund ta ndalojmë rritjen e temperaturës deri në vitin 2030”, ka thënë ekspertja. “Duhet ta vërejmë urgjencën e madhe tani ... Duhet që shtetet në Cop26 në Glasgow të vijnë me plane vërtetë thelbësore”.

Stratton ka thënë për Guardian se përparimi ishte vonuar shkaku i pandemisë COVID-19 teksa ka shtuar se planet do të shpallen kur parlamenti të kthehet në shtator, duke i shpalosur projektet që përfshijnë zëvendësimin e kaldajave të gazit me alternativa më të mira për klimën. Ajo ka thënë se qëllimi për ta dekarbonizuar ekonominë “është udhëtim afatgjatë në të cilin jemi të gjithë”.

“Ky është udhëtim drejt vitit 2050. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Kjo do të jetë një bisedë me popullin britanik për të folur se çfarë është e drejtë, duke mbrojtur familjet e ndjeshme nga disa nga vendimet më të vështira që do të duhet të marrin”, ka thënë ajo për gazetën britanike.

Javën e kaluar analiza e parë për llogaritjen e kostos vdekjeprurëse të emetimeve të karbonit zbuloi se mënyra e jetesës e rreth tre amerikanëve mesatarë do të krijonte emetime të mjaftueshme të ngrohjes së planetit për të vrarë një person. Po ashtu, emetimet nga një termocentral i vetëm me qymyr mund të shkaktojnë më shumë se 900 vdekje. Analiza e publikuar në “Nature Communications”, u bazua në disa studime të shëndetit publik për të arritur në përfundimin se për çdo 4,434 tonë dyoksid karboni të pompuar në atmosferë, përtej normës së emetimeve të vitit 2020, një person në botë do të vdesë para kohe nga rritja e temperaturës. Dyoksidi i karbonit shtesë është ekuivalent me emetimet aktuale të jetës së 3.5 amerikanëve.

“Duke ditur qëllimin e vitit 2050, parlamenti e ka votuar ligjin për qëllimet afatshkurtra për të siguruar që emetimet e karbonit janë zvogëluar në një mënyrë me kosto efektive. Deputetët e votuan ligjin për qëllimin afatshkurtër për t’i zvogëluar emetimet e karbonit në 78 për qind deri në vitin 2035 dhe qeveria ka thënë se ne gjithashtu duhet t’i ulim emetimet e karbonit në të paktën 68 për qind deri në vitin 2030”, ka specifikuar ajo për Guardianin. “Neutraliteti i karbonit deri në vitin 2050 është qëllimi i vetëm, por marrëveshja e Parisit, e nënshkruar nga të gjitha vendet më 2015, kërkon që shtetet të vijnë në Cop26 me objektiva për t’i ulur emetimet e tyre këtë dekadë. Nëse do ta mbajmë rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë, duhet të arrijmë neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050 dhe të veprojmë këtë dekadë”. \ Guardian