Lifestyle

Pirja e kafesë ul rrezikun për sëmundje të mëlçisë, sipas studimit të fundit

Pirja e deri tre ose katër filxhanëve me kafe në ditë, redukton rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike të mëlçisë, apo edhe vdekjes si pasojë e tyre, ka konstatuar studimi më i fundit.

Gjetjet e studimit të publikuar në gazetën “BMC Public Health”, thonë se konsumuesit e kafesë janë për 21% më pak të rrezikuar të preken nga sëmundje kronike të mëlçisë dhe 49% më pak të rrezikuar që të vdesin nga sëmundja kronike e mëlçisë, në krahasim me ata që nuk e konsumojnë kafenë.

“Kafeja është shumë e përdorur dhe përfitimet që shohim prej saj, bazuar në hulumtimin tonë, tregojnë se ajo mund të jetë një trajtim potencial i parandalimit të sëmundjes kronike të mëlçisë”, ka thënë autori i studimit, Dr.Oliver Kennedy, i cili punon në fakultetin e medicinës në Universitetin e Southamptonit në Britani të Madhe, shkruan CNN, transmeton Koha.net.

Sipas tij, kjo do të vlente më shumë për vendet më të ardhura të vogla, ku qasja në sistemin shëndetësor është më e dobët dhe ku niveli i sëmundjeve kronike të mëlçisë është më i lartë.

Ndërkohë, faktorët që mund të ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve të këtij organi të rëndësishëm të njeriut janë konsumimi i alkoolit, obeziteti, llojet e diabetit, pirja e duhanit, hepatiti B dhe C.

Diagnozat e kancerit të mëlçisë janë rritur shumë globalisht, në dekadat e fundit. Sipas një studimi të vitit 2018, janë rritur për 75% rastet e diagnozës me kancer në botë, ndërmjet viteve 1990 dhe 2015.

Kanceri i mëlçisë është kanceri i gjashtë më i përhapur në botë, sipas Fondit Botëror të Hulumtimit të Kancerit.