Lifestyle

COVID-i më i gjatë: Britaniku që e vuajti sëmundjen për 10 muaj

Covid-19

Dave Smith, 72, nga Bristoli, e shpalos përvojën me 42 teste pozitive të koronavirusit dhe shtatë muaj shtrim në spital

Sikurse mijëra persona të tjerë, edhe Dave Smith u infektua me koronavirus në fillim të valës së parë në Mbretërinë e Bashkuar, më 2020. Por derisa shumica e të tjerëve, përfshirë edhe ata që kanë vuajtur nga i ashtuquajturi COVID i gjatë, e eliminuan virusin nga trupi brenda disa javësh, Smith e përjetoi një lloj krejtësisht ndryshe të sëmundjes së zgjatur: infeksioni i tij zgjati për më shumë se 290 ditë apo pothuajse 10 muaj.

Ky, sipas të së përditshmes britanike “The Guardian”, është infeksioni më i gjatë i regjistruar me COVID-19 aktiv deri më tani. Gjatë kësaj periudhe, 72-vjeçari nga Bristoli ka rezultuar plot 42 herë pozitiv në testin PCR dhe ishte shtruar në spital gjithsej shtatë herë.

“Sa herë që shkoja në shtrat, ndihesha shumë keq, sikur të isha buzë derës së vdekjes. Gruaja ime pesë herë më kishte përgatitur funeralin”, rrëfen ai për gazetën.

Në intervistën që e shpalos përjetimin e tmerrshëm dhe të rrallë, ai gjen hapësirë edhe për t’u tallur.

“I kisha ftuar të gjithë anëtarët e familjes për t’ua marrë hallallin. Sikur ta qepja gojën e të mos flisja fare”, thotë ai për “Guardian”.

Smith, instruktor i pensionuar i vozitjes, më në fund u shërua falë një trajtimi me përzierjen e antitrupave të gjeneruar nga Regeneron, e cila ishte përdorur edhe për trajtimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Trajtimi përfshin dy lloje antitrupash, casirivimab dhe imdevimab, të cilat lidhen për pjesë të ndryshme të proteinës majë të koronavirusit, duke ia pamundësuar infektimin e qelizave të tjera, ka shkruar “Guardian”.

Smithit qasja në këtë bar iu sigurua nëpërmjet një programi të veçantë, i cili e parasheh autorizimin e terapisë në rast se kurrfarë trajtimi tjetër nuk ekziston. Megjithëkëtë, ilaçi nuk është më i qasshëm në këtë bazë dhe as nuk është i aprovuar klinikisht për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar.

Mjekët e tij, shkruan “Guardian”, tani janë duke bërë thirrje për qasje më të gjerë në trajtimet e tilla edhe për pacientët e tjerë sikurse Smithi.

Ed Moran, këshilltar për sëmundje infektive në NHS-në e Bristolit Verior, ka thënë se ka numër enorm pacientësh që kanë nevojë për trajtime të tilla.

“Disa prej tyre sëmuren vërtet rëndë në fazë të hershme të infektimit dhe madje edhe vdesin, por disa të tjerë preken nga efektet e tilla të COVID-it të gjatë. E dimë se te disa prej këtyre pacientëve ngjajnë mutacionet e ngjashme sikurse ato te disa variante të reja. Është ky një rrezik teorik, ama është definitivisht evident. Kjo dhe është arsyeja pse mendoj se nuk duhen anashkaluar këta pacientë, kur vjen puna te përdorimi i kësaj terapie”, ka thënë Moran, duke folur për “Guardian”.

Smithi ka pasur telashe shëndetësore edhe para se të prekej nga COVID-19. I ishte nënshtruar kimioterapisë për trajtimin e leukemisë më 2019 dhe porsa ishte shpallur i shëruar nga kanceri kur u prek nga koronavirusi, marsin e 2020-s.

“Isha krejtësisht i dërrmuar dhe humba shqisën e të nuhaturit, e cila nuk më është kthyer. Por nuk e bëra testin për COVID deri në prill, kur më dërguan në spital sherri i infeksionit në gjoks”, tregon Smith për gazetën britanike. Pas trajtimit me antibiotikë, ai ishte dërguar në shtëpi, por telashet me shëndetin nuk i kishin mbaruar.

U shtri sërish në spital gjatë korrikut të shkuar. Ndihej krejtësisht i plogësht. Kur sërish rezultoi pozitiv me COVID-19, mendohej se ishte riinfektuar.

Porse sekuencimi gjenetik i virusit sugjeroi se ishte fjala për të njëjtin rast të infektimit.

“Dikur u plogështova aq shumë sa nuk mund të ngrihesha nga shtrati për dy apo tre muaj. Bashkëshortja më lante dhe ruante në shtrat ngase nuk mund të ngrihesha”, rrëfen ai.

Në këtë kohë ai thotë ta ketë humbur shpresën se do të ngrihej ndonjëherë prapë në këmbë.

Pika e kthesës ndodhi kur mjekët ia përshkruan terapinë Regeneron me antitrupa.

Dyzetepesë ditë pas trajtimit me këtë ilaç, Smith më në fund rezultoi negativ në testin PCR.

“E hapëm një shishe shampanje që e kishim në bodrum, ngase nuk dimë rëndom. E pimë atë të tërin vetëm unë dhe gruaja. Pastaj i telefonuam të gjithë dhe u thamë: ‘Jam negativ, jam negativ’”, ka thënë Smith për “Guardian”.

Që atëherë, 72-vjeçari ka vizituar nipat në Plymouth, ka shkuar për pushime në Cornwall dhe ka udhëtuar në Londër për blerje në Oxford Street. Ka mësuar gjithashtu mbesën e tij se si të ngasë veturë.

“Kurrë nuk do të jem 100 për qind, ngase COVID-i m’i ka shkatërruar mushkëritë. Ngelem pa frymë shumë shpejt”, ka thënë ai. “Por secilën ditë që e jetoj tani është një bonus për mua. Gjithmonë them, kur rrini shtrirë në shtrat, krejt çfarë mund të shihni janë yjet. E kisha prekur fundin andaj tani gjithçka duket madhështore”, ka përfunduar ai rrëfimin për të përditshmen “Guardian”.