Lifestyle

COVID-i i gjatë: Të shëruar, por ende jo të shëndetshëm

Nga 3.6 milionë qytetarët e Gjermanisë që janë prekur nga koronavirusi, disa kanë qenë të sëmurë për shumë muaj radhaz

Shumica e njerëzve në Gjermani janë të përqendruar për të mësuar se kur mund t’i heqin maskat mbrojtëse apo kur do të vaksinohen.

për përfundimin e masave kundër pandemisë po forcohen përherë e më shumë. Por jo edhe për Edith Schmitzin.

Ajo nxjerr një grusht fijesh të gjata e të zeza flokësh nga një qese plastike – në kujtim të jetës së saj të para COVID-19. Para se të infektohej nga koronavirusi në fillimin e këtij viti, Schmitzi ndihej krenare me flokët e saj të shpeshtë.

Një definicion përfundimtar për COVID-in e gjatë ende nuk ekziston, por 58-vjeçarja Schmitz është njëra nga ata që kanë vuajtur prej tij. Në shkurt, sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, Schmitzi ishte shtruar në një spital të Bonit me temperaturë të lartë, me buzë të nxira dhe me thonj të mavijosur.

Ka qëndruar në spital tri javë, e më pas ka nisur procesin e rehabilitimit.

Simptoma kishte edhe 12 javë pas infektimit. Schmitz mban edhe një listë të tyre: rënia e flokëve, djersitja, pagjumësia, kokëdhembjet, spazma e muskujve, letargjia dhe telashet me përqendrimin e kujtesën, probleme këto që rëndom cilësohen si “mjegullim i trurit”.

“Përditë lodhem edhe më shumë”, thotë Schmitz për Deutsche Wellen, teksa përshkruan se zgjohet çdo mëngjes në orën 4:00. “Gjithçka që më duhet të bëj më kërkon shumë mund. Dhe nganjëherë mundohem të gjej mënyra për t’i shmangur punët”.

Detyra të thjeshta, mundim i madh

Virusi ia ka shkatërruar Schmitzit dashurinë për jetën dhe e ka shndërruar në një person krejt tjetër.

Është tërhequr nga jeta shoqërore dhe nuk flet fort me fqinjët, miqtë dhe me familjarët. E ata rëndom i përgjigjen: “Dukesh mirë. Mos ji e trishtuar tërë kohës”, thotë ajo, duke i shpalosur përjetimet për agjencinë gjermane të lajmeve. Thotë se goditje të rëndë ka pësuar edhe në aspektin e vetëbesimit.

Punëdhënësi i saj, një institucion arsimor, e ka mirëkuptuar. Ajo mund t’i kryejë punët nga shtëpia, ndërsa në zyrë shkon vetëm një herë në javë. Kjo gjë ia krijon përshtypjen e të qenët e përmbushur, por njëherësh edhe i merr shumëçka.

“Nganjëherë krejt befas ua harroj emrat kolegëve që i kam njohur për pesë vjet dhe me të cilët i kam kaluar gjithë mëngjeset e mundshme”, thotë ajo. “Mandej harroj edhe se si t’i kryej punët e thjeshta për të cilat kam qenë e mirë më herët”.

Dorëzimi s’është opsion

Duke folur për DW-në, Schmitz thotë se shpesh bashkëndien me Pia Chowdhuryn, e cila vuan prej problemeve të ngjashme. Beteja e Chowdhuryt me COVID-in e gjatë ka nisur tetorin e shkuar. Disa prej mjekëve që e kanë trajtuar nuk i kishin marrë me shumë seriozitet simptomat e saj.

Pas javësh të tëra izolimi dhe panikut nga beteja e përnjëhershme për frymëmarrje, 41-vjeçarja mund të numërojë 20 simptoma që e godasin vrullshëm, e më pas zhduken po aq shpejt. Thotë se nuk mund ta mënjanojë ndjenjën e të qenët e pafuqishme dhe krejtësisht e vetme.

Deutsche Welle ka raportuar se Chowdhury i është bashkuar një grupi britanik të përkrahjes në nëntor, me të cilin mund t’i ndajë përvojat e saj. Ajo e kishte ndjekur një debat politik rreth COVID-it të gjatë në Mbretërinë e Bashkuar, vend ky që i është përgjigjur problematikës shumë më parë sesa Gjermania.

Grupi i ka ndihmuar mjaftueshëm, saqë ajo ta krijojë një të sajin në Bon, gjatë prillit. Quhet Post-COVID: Shëruar, por jo të shëndetshëm.

“Na bën mirë të gjithëve që të dëgjojmë se edhe të tjerët kanë simptoma të ngjashme”, thotë ajo për 18 pjesëmarrës që i janë bashkuar grupit, përfshirë Schmitzin. “Nuk dua që vetëm ta heq qafe këtë sëmundje, por dua edhe që t’iu ndihmojë të tjerëve që ballafaqohen me të”.

Në një grup në aplikacionin WhatsApp, Chowdhury i mban pjesëmarrësit të informuar mbi lajmet më të fundit lidhur me COVID-in e gjatë. Mban videothirrje çdo dy javë, në përpjekje për të gjetur përgjigje në pyetjet. Tani planifikon ta krijojë edhe një grup të dytë.

Image

Hija e gjatë e COVID-it

“Gjithmonë them se e kam baterinë me defekt, e cila mund të mbushet vetëm deri në 20 për qind”, ka thënë Chowdhury për DW-në, teksa është munduar që ta përshkruajë gjendjen e saj. Ajo është duke marrë pjesë në një studim mbi COVID-in e gjatë të kryer në Këln dhe thotë se tani po ndihet paksa më mirë, porse përparimi është i ngadaltë. Ajo dëshiron që zyrtarët shëndetësorë në Gjermani, përfshirë ministrin Jens Spahn, t’i kushtojnë më shumë vëmendje dhe burime kësaj gjendjeje.

Disa studime, të cituara nga DW-ja, kanë sugjeruar se 10 deri në 20 për qind e pacientëve me COVID-19 kanë ende simptoma, edhe pas 12 javësh nga infektimi, ka treguar Jördis Frommhold, ekspertja kryesore gjermane për COVID-in e gjatë.

Sipas kësaj përllogaritjeje, Deutsche Welle raporton se së paku 360 mijë nga përafërsisht 3.6 milionë raste të konfirmuara pozitive në Gjermani vuajnë nga efektet afatgjata të sëmundjes.

“Ndikimi ekonomik është gjithashtu enorm, po qe se njerëzit nuk i nënshtrohen rehabilitimit. Nuk mund të themi ende se sa njerëz nuk do të mund të punojnë”, ka theksuar Frommhold, raporton DW.

Klinika e Frommholdit prej 140 shtretërish në brigjet e Baltikut në veri të Gjermanisë rëndom i trajton personat me telashe respiratore, alergji dhe probleme psikosomatike. Tani puna e saj është zgjeruar për ta përfshirë edhe COVID-in e gjatë.

“Ende jam duke i trajtuar njerëzit nga vala e parë. Ata që po regjistrohen tani do të gjejnë vend në janar, më së herëti”, ka theksuar ajo, duke e kritikuar mungesën në Gjermani të qendrave të rehabilitimit për gjendjet e reja shëndetësore.

Ajo ka shprehur për DW-në shqetësime se pacientët po vuajnë si pasojë e të çarave në sistemin shëndetësor.

“Gjermania është paksa e fjetur për sa i përket kësaj çështjeje”, ka konstatuar ajo për Deutsche Wellen.

Përktheu: N. LL