Lifestyle

Toksinat e fshehura në trup

Çfarë kanë të përbashkët mushama, kutitë e picave, paketimet e perimeve të ngrira dhe tiganët që nuk ngjitin? Të gjithë përmbajnë substanca të alkiluara të perfluoruara (PFAS). Të njohura nga ekspertët si "kimikatet e përhershme", ato mund ta dëmtojnë shëndetin e njeriut

Ato janë kudo, janë të dëmshme për shëndetin tonë dhe nuk biodegradojnë. A i ka gëlltitur edhe reporteri i DW-së, Tim Schauenberg, pa e ditur ‘kimikatet e përhershme’?

Çfarë kanë të përbashkët mushama, kutitë e picave, paketimet e perimeve të ngrira dhe tiganët që nuk ngjitin? Të gjithë përmbajnë substanca të alkiluara të perfluoruara (PFAS). Të njohura nga ekspertët si "kimikatet e përhershme", ato mund ta dëmtojnë shëndetin e njeriut.

Roland Weber, konsulent mjedisor në Kombet e Bashkuara i përshkruan si "një nga kimikatet më të rrezikshme që janë shpikur ndonjëherë". Rreth 4.500 substanca të bëra nga njerëzit janë PFAS dhe mbetjet nga kjo familje kimikatesh tani gjenden në të gjithë globin - në tokë, ujë të pijshëm, ushqim, kafshë dhe madje edhe brenda trupit të njeriut.

A kam PFAS-e në trup?

Rreth 98 për qind e amerikanëve në SHBA kanë PFAS-e në gjak. Studimet nga India, Indonezia dhe Filipinet gjetën substancat toksike në pothuajse të gjitha mostrat e qumështit të gjirit të testuar. Çdo fëmijë në Gjermani ka kimikate të përhershme dhe në një të pestën e atyre rasteve, përqendrimet tejkalojnë nivelet kritike.

Kjo më bëri të mendoj për nivelet e toksinave të përhershme në trupin tim. Për ta ditur këtë nuk është lehtë pasi ka shumë pak laboratorë të specializuar në Gjermani, që janë në gjendje t’i bëjnë testet e nevojshme. Por, unë arrita ta gjej një, IPASUM, në qytetin jugor të Erlangen.

Ua dërgova një mostër gjaku, e cila u analizua për PFOA dhe PFOS - kimikatet më të njohura të përhershme - të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të mëlçisë dhe veshkave, ta ulin fertilitetin mashkullor dhe të ndikojnë në peshën e foshnjave të porsalindura, si dhe efektivitetin e vaksinave. Në përqendrime të larta, ato mund të çojnë në kancer. Studimet e reja kanë treguar gjithashtu një lidhje midis kimikateve dhe rasteve të rënda të COVID-19.

Laboratori gjeti 4 nanogramë PFOA dhe PFOS për litër gjaku. Kjo është rreth një e mijta e peshës së një kokrre rërë dhe do të thotë që unë jam shumë poshtë niveleve kritike dhe në përputhje me mesataren gjermane. Thomas Göen, profesor në IPASUM, i cili e bëri analizën, më tha se këto përqendrime nuk paraqesin rrezik në përputhje me njohuritë aktuale shkencore. Por, rezultatet nuk më qetësuan sepse substancat janë të qëndrueshme dhe mund të grumbullohen në trup. Kimikatet e përhershme janë aq të qëndrueshme sa nuk biodegradojnë në natyrë dhe trupi i njeriut i nxjerr shumë ngadalë. Shkencëtarët po kërkojnë mënyra për t'i prishur, por çdo metodë është ende në fillimet e saj.

Si përfundojnë kimikatet te ne?

Është pikërisht kjo qëndrueshmëri që i bën PFAS-et kaq të dobishme. Rezistuese ndaj ujit, yndyrës dhe papastërtisë, ato shpërndahen praktikisht në çdo industri dhe gjenden në një gamë të larmishme produktesh, përfshirë lëkurën artificiale, letrën fotografike, pesticidet, shkumën në aparatet për fikjen e zjarrit, ngjyrat dhe aeroplanët. Njerëzit thithin shumicën e PFAS-eve nga ushqimi. Peshku, mishi, qumështi, vezët dhe perimet nga vendet e ndotura mund të përmbajnë nivele veçanërisht të larta të këtyre kimikateve.

Shumica e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza nuk mund t’i filtrojnë mbetjet kimike, të cilat më pas hyjnë në mjedis përmes deponive, mbetjeve industriale dhe duke larë rrobat. PFAS-et janë gjetur në malet e largëta të Patagonisë, në borën e Antarktidës dhe në malet Altai të Azisë Qendrore dhe Lindore, si dhe brenda ariut polar, zogjve dhe delfinëve.

Në dollapin e kuzhinës

Më 1938, kompania e kemikateve “DuPont” shpiku PFTE, një nga kimikatet e para PFAS. Meqenëse ishte në gjendje të mbronte metalin nga korrozioni në temperatura tepër të larta, e përdorën në bombën e parë atomike. PFTE shpejt u shfaq nëpër familje anembanë globit si një shtresë e qëndrueshme në tigan me emrin e markës "Teflon". Ishte sukses i madh për industrinë.

Por në vitin 1998, marka e tiganëve që nuk ngjitin u gjend në një situatë jo të mirë, kur një blegtor tha se lopët e tij, që po kullosnin pranë një fabrike prodhimi “Teflon” në Parkersburg West Virginia, po treteshin dhe po ngordhnin. Studimet sugjerojnë se nivelet e larta të PFAS-eve në zonë janë lidhur me rastet e rritura të kancerit të veshkave dhe testikujve. Në vitin 2017, “DuPont” pranoi t’u paguante dëmshpërblim viktimave me vlerë prej 671 milionë dollarësh.

Vendet e tjera, duke përfshirë Holandën, Belgjikën dhe Italinë, kanë pasur raste të ndotjes me ujin e pijshëm dhe mjedisit me PFAS-et. Disa prej këtyre kimikateve tani po hiqen gradualisht në BE, SHBA dhe Japoni dhe sasia në popullatë është ulur përherë e më shumë. Në Gjermani, mesatarja është më shumë se përgjysmuar që nga viti 1990. Mirëpo, industria e kimikateve po prodhon një brez të ri të PFAS-eve që ndryshojnë shumë pak nga paraardhësit e tyre, por nuk janë të ndaluara për momentin.

Si mund ta mbroj veten?

Çfarë duhet të bëj? Duket e pamundur të shmangni diçka që gjendet në shumë gjëra, por që nuk shënohet në paketim.

Tani për tani, i kam thënë lamtumirë tiganëve që nuk ngjesin dhe po mendoj ta blej një filtrues uji për t’i hequr qafe PFAS-et nga uji i pijshëm. Duket sikur ushqimi i shpejtë, i cili megjithatë kurrë nuk më ka pëlqyer, do të bie edhe më poshtë menusë, në mënyrë që të mos kem paketime me PFAS-e.

Në një nivel global, presioni për të hequr dorë nga PFAS-et po rritet. Pas një fushate të “Greenpeace”, prodhuesit e veshjeve “Vaude”, “Paramo” dhe “Rotauf” u zotuan për detoksimin e rrobave të tyre. Gjigandi suedez i mobilieve “Ikea” thotë se ka ndaluar gjithashtu substancat, ndërsa vende të tilla si Gjermania, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia po bëjnë presion që PFAS-et të ndalohen në të gjithë BE-në deri më 2030.