Rastet me sëmundjen dengue janë zvogëluar për 77 për qind në një testim ku janë përfshirë mushkonjat që e përhapin virusin, kanë thënë shkencëtarët, raporton BBC.
Ata kanë përdorur mushkonjat e infektuara me një bakter të “mrekullisë” për të reduktuar aftësinë e insektit për të përhapur virusin dengue.
Testimi u mbajt në qytetin Yogyakarta në Indonezi dhe po zgjerohet me shpresë se do të çrrënjoset virusi dengue.
Ekipi i “Programit Botëror të Mushkonjave” ka thënë se mund të jetë një zgjidhje ndaj virusit që është përhapur nëpër botë.
Pak njerëz kishin dëgjuar për denguen 50 vjet më parë, por është përhapur në mënyrë drastike.
Në vitin 1970, vetëm nëntë shtete ishin përballur me shpërthime të rasteve të rënda me sëmundjen dengue, ndërsa tash afro 400 milionë infektohen çdo vit.
Dengue shkakton dhembje të mëdha të muskujve dhe eshtrave dhe shpërthimi i rasteve mund të mbingarkojë spitalet.
Në hulumtimin e bërë në Indonezi, janë përdorur mushkonjat e infektuara me bakterin “Wolbachia”. Një nga hulumtueset, Katie Anders, e ka përshkruar këtë bakter si “mrekulli”.
Wolbachia nuk dëmton mushkonjat, por ajo qëndron në të njëjtat pjesë e trupit të saj ku futet virusi dengue.
Bakteret garojnë për burime dhe e bëjnë më të vështirë për virusin dengue që të shumohet, kështu që mushkonjat kanë më pak gjasa të shkaktojnë infeksion kur të thumbon.
Në këtë testim janë përdorur pesë milionë vezë të mushkonjave të infektuara me Wolbachia. Vezët janë vendosur në kova me ujë në qytet çdo dy javë dhe procesi i ndërtimit të një popullate të mushkonjave të infektuara me Wolbachia zgjati nëntë muaj.
Yogyakarta u nda në 24 zona dhe mushkonjat e infektuara u lëshuan në vetëm gjysmën e tyre.
Rezultatet, të botuara në revistën “New England Journal of Medicine”, treguan një ulje të 77 për qind të raseve dhe reduktim për 86 për qind të njerëzve që kanë pasur nevojë për kujdes spitalor kur mushkonjat janë lëshuar.
“Është shumë emocionuese, është më mirë se që kemi shpresuar”, ka thënë Anders.