Lifestyle

Peshkaqenët përdorin fushën magnetike si GPS

“Kur peshkaqenët u janë ekspozuar sinjaleve magnetike në një zonë me qindra kilometra në jug të vendit ku janë kapur, ata janë prirë që të notojnë drejt veriut, duke e demonstruar një ‘orientim drejt shtëpisë’ në atë që e sugjeron përdorimin e forcave magnetike në navigimin e tyre”, ka thënë Bryan Keller, autori kryesor i studimit

Shkencëtarët në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë konstatuar se peshkaqenët posedojnë një sistem të brendshëm navigimi të ngjashëm me GPS-në, i cili ua lejon atyre që t’i përdorin forcat magnetike të Tokës për të udhëtuar nëpër distanca të gjata me saktësi të madhe.

Studiues nga Universiteti shtetëror i Floridas e kanë bërë këtë zbulim, duke i bërë 20 peshkaqenë kokëçekanë subjekte të ushtrimeve të “zhvendosjes magnetike”, që i replikojnë lokacionet gjeografike me qindra kilometra nga vendi ku janë kapur.

“Kur peshkaqenët u janë ekspozuar sinjaleve magnetike në një zonë me qindra kilometra në jug të vendit ku janë kapur, ata janë prirë që të notojnë drejt veriut, duke e demonstruar një ‘orientim drejt shtëpisë’ në atë që e sugjeron përdorimin e forcave magnetike në navigimin e tyre”, ka thënë Bryan Keller, autori kryesor i studimit.

Studimi i publikuar në revistën shkencore “Current Biology” ndihmon në shpjegimin e arsyes përse peshkaqenët mund të udhëtojnë nëpër oqeane, por të kthehen pikërisht në të njëjtin lokacion për çdo vit për t’u ushqyer dhe për të lindur”, ka theksuar Kelleri.

“Kemi qenë në dijeni për tash e sa kohë rreth aftësisë së tyre për t’i detektuar fushat magnetike, porse kjo është hera e parë që është testuar suksesshëm aftësia e tyre për të gjetur lokacione apo se arrijnë të grumbullojnë informata të ngjashme me harta nga fusha magnetike”, ka shtuar ai. “Presim që këto aftësi të vëzhgohen edhe mes specieve të tjera, si balenat e mëdha që udhëtojnë me dhjetëra mijëra kilometra dhe rikthehen më pas në po të njëjtat lokacione”.

Keller dhe ekipi i tij besojnë se sistemi “i brendshëm” i navigimit te peshkaqenët kokëçekanë është mbase një pikë e përbashkët edhe e specieve të tjera peshkaqenësh.

Ekipi ka evidentuar këtë lloj të peshkaqenëve në brigjet detare të Floridas dhe i ka vendosur ata në një pishinë të madhësisë së dhomës, të rrethuar me tela. Në këtë mënyrë, shkencëtarët kanë arritur që t’i simulojnë sinjalet magnetike nga vendi i kapjes dhe nga pozicionet me qindra kilometra në jug dhe veri.

Në polin më jugor, peshkaqenët kanë reaguar në mënyrë uniforme me një të ashtuquajtur “orientim drejt shtëpisë”, duke sugjeruar kësisoj se ata mund “ta bëjnë dallimin midis lokacioneve gjeografike nëpërmjet përdorimit të informacioneve të ngjashme me hartat nga fusha magnetike”, ka treguar studimi.

Nëpërmjet simulimit, peshkaqenët kanë notuar në drejtime të rastësishme, ndërkaq nga veriu dukej se ishin më të çorientuar. Kjo ngase peshkaqenët rrallë mërgojnë drejt veriut.

Keller ka theksuar se kjo gjë ndodh kryesisht për shkak se “kurrë nuk kanë qenë aty”.

“Nuk ishte ky një efekt dramatik”, ka theksuar ai. “Ne e kemi gjurmuar sjelljen e tyre me anë të një kamere dhe kemi përdorur software për t’i gjurmuar mënyrat e tyre të gjumit dhe për t’i analizuar statistikat. Kemi mësuar se këndi mesatar i një peshkaqeni ishte i drejtuar kah zona ku janë kapur”.

Sipas revistës “Science Magazine”, një peshkaqen i madh i bardhë ishte gjurmuar më 2005 tek notonte nga Afrika Jugore drejt Australisë dhe prapa në një linjë pothuajse të drejt, duke i shtrënguar shkencëtarët që të besonin se peshkaqenët kanë një ndjesi magnetike për të lëvizur, të ngjashme me atë që gjendet edhe mes zogjve të detit, karavidheve dhe breshkave.

Megjithëkëtë, deri më tani janë ndërmarrë fare pak kërkime në këtë drejtim.

“Është ndryshe kur e keni një karavidhe të vogël apo një breshkë deti foshnje, por kur punoni me peshkaqenë duhet të merrni parasysh çdo gjë”, ka thënë biofizikanti Michael Winklhofer nga Universiteti gjerman i Oldenbgut për shkencë.

Ekspertë të tjerë kanë thënë se gjetjet e ekipit nga Florida ishin “bindëse” por kanë theksuar se kërkime të tjera ishin të nevojshme para se të dëshmohet përfundimisht ekzistenca e sistemit të brendshëm të GPS-së te peshkaqenët.

“Pyetja gjithnjë ka qenë, edhe në rast se peshkaqenët janë të ndjeshëm ndaj orientimit magnetik, a e përdorin ata këtë ndjenjë për të naviguar nëpër oqeane dhe si?”, ka thënë Robert Hueter, një shkencëtar i pensionuar nga laboratori detar Mote në brigjet detare të Floridas. “Këta autorë kanë arritur përparim në zbardhjen e kësaj çështjeje”.