Lifestyle

Oraret e gjata të punës po i çojnë drejt vdekjes 745.000 persona në vit

Hulumtimi i parë global i këtij lloji ka treguar se 745 mijë njerëz kanë vdekur më 2016 nga sulmi në tru dhe sëmundjet e zemrës të shkaktuara nga orët e gjata të kaluara në vendet e punës. Raporti ka zbuluar se njerëzit që jetojnë në Azinë juglindore dhe në rajonin e Paqësorit Perëndimor, ishin më të prekurit nga kjo dukuri

(BBC) – Orët e gjata në punë janë duke ua shkaktuar vdekjen me qindra e mijëra njerëzve brenda një viti, ka treguar të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Studimi i parë global i këtij lloji ka treguar se 745 mijë njerëz kanë vdekur më 2016 nga sulmi në tru dhe sëmundjet e zemrës të shkaktuara nga orët e gjata të kaluara në vendet e punës.

Raporti ka zbuluar se njerëzit që jetojnë në Azinë juglindore dhe në rajonin e Paqësorit Perëndimor ishin më të prekurit nga kjo dukuri.

OBSH-ja ka bërë të ditur, gjithashtu, se kjo prirje mund të jetë përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Studimi ka zbuluar, po ashtu, se mbi 55 orë punë gjatë javës, ishin të lidhura me rritjen e rrezikut për sulm në tru për 35 për qind dhe 17 për qind rrezik për të vdekur nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me 35 deri 40 orë punë brenda javës.

Studimi, i zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare “Labour”, gjithashtu ka treguar se pothuajse tri e katërta e të vdekurve për shkak të orëve të gjata në punë, ishin të moshës së mesme apo burra të moshuar.

Zakonisht, vdekjet ndodhnin shumë më vonë në jetë, nganjëherë edhe dekada më vonë.

 “Nuk do ta kaloj tërë ditën në ‘Zoom’ ”

Pesë javë më parë, një postim në LinkedIn nga 45-vjeçari Jonathan Frostick ishte bërë shumë i famshëm, pasi që ai e kishte përshkruar se si ishte kthjellur pas një rasti shkaku i orarit të gjatë të punës.

Menaxheri i programit rregullator, që punon për bankën HSBC, vetëm sa ishte ulur në një pasdite të së dielës për t’u përgatitur për javën e ardhshme, kur ndjeu një shtrëngim në gjoks, dhembje në fyt, në nofull dhe krah, si dhe përjetoi vështirësi në frymëmarrje.

“Shkova në dhomë për t’u shtrirë dhe bashkëshortja ime më vërejti dhe më pas thirri emergjencën”, ka thënë ai.

Gjatë kohës kur po shërohej nga sulmi në zemër, Frostick vendosi që ta ristrukturonte qasjen e tij ndaj punës. “Nuk do ta kaloj më tërë ditën në ‘Zoom’”, ka thënë ai.

Postimi i tij ka prekur me qindra lexues, të cilët më pas i ndanë përvojat e tyre të punës së tepërt dhe ndikimin që kishte në shëndet.

Frostick nuk e ka fajësuar punëdhënësin e tij për orët e gjata që po punonte, por një respondent ka thënë: “Kompanitë vazhdojnë t’i nxisin njerëzit deri në kufijtë e tyre, pa u brengosur për mirëqenien e tyre”.

Vlerësimi i rrezikut të punës së tepërt

HSBC-ja ka bërë të ditur se të gjithë i kanë uruar Frostickut shërim të plotë dhe të shpejtë.

“Të gjithë e dimë rëndësinë e shëndetit dhe mirëqenies dhe baraspeshës me punën. Gjatë vitit të kaluar e kemi dyfishuar përkushtimin ndaj shëndetit dhe mirëqenies. Përgjigjja ndaj kësaj teme tregon se sa shumë ndodhet kjo gjë nëpër mendjet e njerëzve dhe jemi duke i inkurajuar të gjithë që ta vënë në rend të parë shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, thuhet në një koment të udhëheqësve të bankës.

Ndonëse studimi nuk e ka mbuluar periudhën e pandemisë, zyrtarët nga OBSH-ja kanë thënë se kërcimi nga puna prej distancës dhe ngadalësimi ekonomik ka mundësi se i kanë shtuar rreziqet që ndërlidhen me orët e gjata të punës.

“I kemi disa prova që tregojnë se kur vendet e vendosin masën e izolimit, numri i orëve të punës rritet për 10 për qind”, ka thënë zyrtari teknik i OBSH-së, Frank Pega.

Raporti ka specifikuar se orët e gjata në punë ishin vlerësuar se janë përgjegjëse për rreth një të tretën e sëmundjeve që lidheshin me punën, duke u shndërruar në një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve sherri i punës së tepërt.

OBSH-ja ka sugjeruar se punëdhënësit duhet që ta vënë në kalkulim një gjë të tillë, kur i vlerësojnë rreziqet e punës në shëndetin e punëtorëve të tyre.