Lifestyle

Nuk ekziston lidhje midis adoleshentëve, teknologjisë dhe shëndetit mendor

Instituti për Internet pranë Universitetit të Oxfordit ka krahasuar shikimin e televizorit, të përmbajtjeve të mediave sociale dhe pajisjeve të tjera teknologjike me ndjenjat e depresionit, tendencave për vetëvrasje dhe problemet me sjelljen. Kësisoj është zbuluar se ekziston një ndërlidhje fare e vogël mes depresionit dhe përdorimit të mediave sociale dhe shikimit të televizorit, nga viti 1991 deri më 2019. Mirëpo kishte vetëm një lidhje të vogël mes problemeve emocionale dhe përdorimit të mediave sociale

Mbetet një “ndërlidhje fare e vogël” midis përdorimit të teknologjisë dhe problemeve me shëndetin mendor, ka sugjeruar të mërkurën një studim me më shumë se 430 mijë të rinj të moshave 10 deri 15-vjeçare.

Instituti për Internet pranë Universitetit të Oxfordit ka krahasuar shikimin e televizorit, të përmbajtjeve të mediave sociale dhe pajisjeve të tjera teknologjike me ndjenjat e depresionit, tendencave për vetëvrasje dhe problemet me sjelljen.

Kësisoj është zbuluar se ekziston një ndërlidhje fare e vogël mes depresionit dhe përdorimit të mediave sociale dhe shikimit të televizorit, nga viti 1991 deri më 2019. Mirëpo kishte vetëm një lidhje të vogël mes problemeve emocionale dhe përdorimit të mediave sociale.

“Nuk ia kemi dalë që ta bëjmë dallimin midis ndikimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor në vitet 2010 dhe 2019”, ka thënë njëri nga bashkautorët e studimit, profesori Andrew Przybylski. “Nuk po themi se njerëzit më pak të lumtur i përdorin më shumë mediat sociale. Por po themi se lidhja nuk është duke u bërë më e fortë”.

Dhe ky fakt përbën paralajmërim për rregullatorët dhe ligjvënësit që përqendrohen në besimet e kudondodhura mbi efektet e dëmshme të teknologjisë për shëndetin mendor të të rinjve.

Pjesëmarrësit e studimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar i kanë kategorizuar ndjenjat e tyre nëpërmjet një game të gjerë pyetjesh. Dhe atyre u është kërkuar që t’i përgjigjen pyetjes rreth kohëzgjatjes së aktiviteteve në mediat sociale apo në ndonjë pajisje tjetër teknologjike, por jo se si e kanë kaluar këtë kohë.

Studimi është publikuar në revistën shkencore “Clinical Psychological Science”.

Në janarin e këtij viti, një studim kishte sugjeruar se përdorimi i tepërt i mediave sociale ishte i ndërlidhur me gjendjen e rënduar mendore dhe me uljen e vetëbesimit në mesin e më të rinjve.

Në këtë studim, faktorët e tjerë që kanë ndikuar në shfaqjen e problemeve mendore mes të rinjve është paraqitur edhe pandemia e koronavirusit.

Ndërkaq, Qeveria britanike ka njoftuar se do të investojë 500 milionë funte në shërbimet e përkujdesjes për shëndetin mendor. Prej kësaj shume, 79 milionë funte do të shkojnë për çështjet e fëmijëve dhe të adoleshentëve.