Lifestyle

Si të ushqeheni gjatë Ramazanit

Leonora Gashi-Abdullahu, këshilltare për ushqim, në emisionin SOT në KTV ka dhënë këshillat për ushqyerje më të mirë në mënyrë që njerëzit të mos kenë probleme gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit.

Ajo ka thënë se balancimi i ushqimeve dhe përgatitja në mënyrë të duhur janë hapat kyç për të kaluar ditët pa lodhje e pa humbje të koncentrimit.

“Shumë njerëz që agjërojnë e që shkojnë në punë thonë vazhdimisht se jam i lodhur, jo kam koncentrim më të ulët, jo s’kam energji të mjaftueshme. Krejt këto vijnë si pasojë e ushqimit jo të balancuar që marrin gjatë iftarit apo syfyrit. Duhet të fokusohemi që shujtat të jenë të balancuara sa i përket materieve ushqyese. Që të mos ndiejmë veten të lodhur. Si për çdo ditë, organizimi ka nevojë për laramani të materieve ushqyese. Llojllojshmëri të pemëve dhe perimeve, por jo vetëm këto, por edhe yndyra të shëndetshme e karbohidrate komplekse. Kemi nevojë për sasi të proteinave që të qëndrojmë më të ngopur”, ka thënë ajo.

Sa i përket përgatitjes, ajo ka thënë se preferohet të përdoret shumë pak vaj.

Për iftar, ka propozuar që të niset me ujë dhe hurme në mënyrë që organizmit t’i kthehen lëngjet dhe sheqernat natyrale që kanë munguar që nga syfyri.

Për hurmat ka thënë se janë jashtëzakonisht të shëndetshme sepse freskojnë trupin dhe organizmin.

“Nivelin e sheqerit e sjell në normalitet dhe mendoni se s’paskam qenë aq e uritur. Është starter i mirë për të mos ngrënë shumë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pas hurmës dhe ujit preferohen ushqime më të lëngshme, duke nisur nga supa apo edhe ajrani.

Pastaj sallata me lënge, ndërsa pjata kryesore duhet të jetë me proteina me përmbajtje mishi, bimore, karbohidrate komplekse, patate, oriz e të tjera.

Sa i përket syfyrit, Abdullahu ka thënë se kërkohet shujtë e balancuar me gjëra të lëngshme dhe duhet të evitohen ushqimet me shumë yndyrë e kripë pasi që bëjnë që gjatë ditës të kërkohet më shumë uji.

Evitimi i syfyrit vetëm me ndonjë gotë ujë dhe pa ushqim, sipas saj, është jo ideale dhe vetëm i sjell vështirësi e shkatërrime organizmit.