Mundësia e infektimit në natyrë nga virusi SARS-CoV-2 është dukshëm shumë më e ulët sesa në mjediset e mbyllura – qoftë nga varianti fillestar apo edhe nga mutacionet e reja të tij. Aerosolët në ajër luajnë një rol vendimtar në përhapjen e koronavirusit. Sipas ekspertëve, jashtë aerosolët shumë shpejt e humbasin rrezikshmërinë.
“Kjo ka të bëjë me faktin se qarkullimi i ajrit jashtë është më i madh. Duke pasur rryma ere shumë shpejt ndodh efekti i hollimit”, ka shpjeguar për “Deutsche Welle”, Nico Mutters, drejtor i Institutit të Higjienës dhe Shëndetit Publik në Klinikën e Universitetit të Bonit.
Edhe Birgit Wehner, studiuese e aerosolëve në Institutin Leibniz për Studimet e Troposferës, ka thënë se spërklat që lirohen nëpërmjet procesit të frymëmarrjes, jashtë thahen dhe hollohen më shpejt.
Në një deklarim të Shoqatës për Studimet e Aerosolëve, që është nënshkruar edhe nga Wehner, thuhet megjithatë se në grupimet e mëdha të njerëzve me distancë të vogla, as në natyrë nuk mund të përjashtohet rreziku i prekjes nga virusi. Kjo nënkupton se në hapësira të jashtme duhet të respektohen rregullat e distancës 1.50 deri në 2 metra.
“Nëse nuk e mbani distancën dhe qëndroni ballë për ballë me njeri-tjetrin, flisni me zë të lartë, këndoni apo pështyni, atëherë mund të infektoheni nëpërmjet aerogjenëve infektues”, ka thënë në një intervistë për DW-në virologu Alexander Kekulé. Ai njihet për kritikat e zëshme ndaj masave të qeverisë për kontrollimin e përhapjes së virusit. Sipas tij, kompromisi me virusin duhet të arrihet pa u kufizuar në mënyrën e jetesës.
Rregullorja e mbajtjes së distancës duhet të respektohet edhe për mutacionet e virusit, ka thënë Kekulé. “Mutacionet nuk fluturojnë më tej, kjo është e rëndësishme të thuhet”.
Ato janë pak më shumë ngjitëse, por kjo nuk bën dallim për masat kufizuese. Duhet që të evitohen edhe të puthurat e përqafimet. Gjatë lëvizjeve normale – si një kalim shkurt krah tjetrit jashtë – pothuajse nuk ka asnjë rrezik. Studimet kanë konfirmuar se rreziku për t’u infektuar jashtë është minimal. Një studim nga Kina ka treguar se nga 7.324 infeksionet e regjistruara, vetëm një ka ndodhur në ambiente të jashtme.

Edhe instituti gjerman “Robert Koch” në faqen e tij në internet ka shkruar se infeksionet në hapësira janë shumë të rralla.
“Sa më shumë erë që të ketë, aq më shumë shtyhet reja e aerosolëve që nxjerr njeriu”, ka shpjeguar fizikani dhe studiuesi i aerosolëve, Gerhard Scheuch. Nëse respektohet distanca nuk ka gjasë që të ketë efekt ngjitës të aerosolëve.
Në intervistë për DW-në, Scheuch ka thënë se “vetëm nëpërmjet ngrohtësisë së trupit në atmosferë krijohet një rrymë ajri, që normalisht shkon lart si në një oxhak”.
“Kjo sepse temperatura e trupit në përgjithësi është 37 gradë, pra më e lartë se temperatura e mjedisit. Ajri i ngrohtë shkon lart dhe reja me aerosolë ngjitet kësisoj lart”, ka shpjeguar ai.
Edhe një studim në Iran ka provuar se era nuk luan rol për transferimin e aerosolëve infektues.
Mirëpo kjo çështje nuk ka marrë ende përgjigje përfundimtare prej studiuesve. Studiues amerikanë kanë hulumtuar infeksionet në rajone të ftohta, të ngrohta dhe ato me lagështirë në Kinë dhe nuk kanë gjetur ndonjë ndërveprim midis kushteve klimatike dhe numrit të infeksioneve. Ndërsa një studim tjetër austriak ka konfirmuar se rrezatimi ultraviolet i shkatërron viruset.
“Rrezatimi ultraviolet ka një efekt minimal në bartjen e infeksionit nga njeriu në njeri”, kanë theksuar studiuesit, duke shtuar se megjithëkëtë infeksioni mund të ndodhë për pak minuta.
Edhe ekspertët e pyetur nga DW-ja kanë mendime të ndryshme.
Nico Mutters ka vërejtur se nuk mund të thuhet në mënyrë përgjithësuese që në stinën e nxehtë rreziku është më i ulët sesa në stinën e ftohtë.
“Vërtet në verë ka një rrezatim më të lartë të rrezeve ultraviolete, por të njëjtat vlera përmes reflektimit mund të arrihen edhe në hapësirat e skijimit në borë. Po ashtu në mbarë botën ka infeksione, pavarësisht nga klima e ngrohtë apo e ftohtë në rajone të ndryshme”, ka thënë Mutters. Mirëpo virologu Alexander Kekulé ka shtuar se infeksionet edhe në vendet e ngrohta ndodhin në mjediset e mbyllura dhe jo jashtë në natyrë.
Prandaj, jashtë është e arsyeshme që të mbahen maskat, kur nuk mund të respektohet distanca mes njerëzve. Nëse njerëzit janë dendur në masë dhe nuk ka mundësi shmangieje duhet mbajtur maska. Edhe në mjedise shfaqjesh apo koncertesh, në stacionet e trenave e autobusëve apo gjatë qëndrimit në radhë ekspertët rekomandojnë ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskës. \ DW