Lifestyle

Studimi izraelit: Vaksina e “Pfizerit” e ndal përhapjen e virusit

Studimet më të fundit të ndërmarra në Izrael mbi efikasitetin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “BioNTech” dhe “Pfizer” kanë dhënë rezultate shpresëdhënëse.

Në këto studime, ende në fazë paraprake, është dëshmuar se vaksina e dy gjigantëve farmaceutikë mund ta parandalojë ecurinë e rëndë të sëmundjes COVID-19 në përafërsisht 99 për qind të rasteve, ka bërë të ditur Ministria izraelite e Shëndetësisë.

Por Izraeli ka dhënë edhe një lajm tjetër të mirë. Në një studim vëzhgues ende të papublikuar të prodhuesit të vaksinës dhe Ministrisë izraelite është konfirmuar se ka gjasa të mëdha që vaksina e pengon deri në 90 për qind bartjen e virusit dhe bashkë me këtë edhe infektimin e një personi tjetër.

Deri më tani ishte ende e paqartë nëse vaksina ofron mbrojtje vetëm për të vaksinuarit apo edhe njerëzit përreth. Studimi në Izrael, sipas raportimit në media lokale, bazohet në të dhënat prej rreth 1.7 milionë të të vaksinuarve dhe së shpejti do të publikohet me të ashtuquajturën procedurë “Preprint”, në një revistë shkencore.

Eksperti gjerman i shëndetësisë dhe politikani socialdemokrat, Karl Lauterbach, në një deklaratë për të përditshmen “Bild” është shprehur se “këto vlerësime janë me rëndësi të madhe”.

Sipas të dhënave, vaksinat mund ta mundësojnë imunizimin e tufës dhe kthimin në jetën normale.

Në Izrael pothuajse gjysma e 9.3 milionë banorëve tanimë janë vaksinuar, me të paktën një dozë. Ky vend është i pari në botë që ka kryer më shumë vaksinime dhe është i përshtatshëm për vëzhgime shkencore në masë. \ AP