Studiuesit kishin pranuar pjesë të ndryshme të të dhënave ku thuhej se këta njerëz ishin riinfektuar – përfshirë simptomat e reja më shumë se 90 ditë pas infektimit të tyre të parë, testeve serologjike të reja pozitive dhe testeve të gjakut
Londër, 14 janar (AP) – Shumica e personave që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19 janë të mbrojtur nga riinfektimi për të paktën pesë muaj, thuhet në një studim të ri të ndërmarrë nga Shëndeti Publik në Angli.
Infektimet dikur ishte cilësuar se e ulin deri në 83 për qind rrezikun për t’u infektuar sërish me virus, krahasuar me ata që nuk e kanë pasur kurrë COVID-19, kanë zbuluar shkencëtarët. Por ekspertët kanë paralajmëruar se disa persona mund të infektohen përsëri dhe se mund të jenë bartës e t’i infektojnë edhe të tjerët.
Mjekët kanë bërë të ditur se njerëzit duhet që t’u përmbahen rregullave dhe të qëndrojnë në shtëpi – pa marrë parasysh nëse e kanë pasur virusin apo jo.
“Shpëtoni jetë”
Profesoresha Susan Hopkins, që e ka udhëhequr studimin, ka thënë se rezultatet kanë qenë inkurajuese, duke sugjeruar se imuniteti ka zgjatur më gjatë sesa që mendohej, porse mbrojtja nga virusi nuk është absolute.
Ka qenë posaçërisht shqetësuese që ata që janë riinfektuar kishin pasur nivele të larta të virusit – madje edhe pa simptoma – dhe ishin në rrezik për ta shpërndarë te të tjerët, ka thënë ajo.
“Kjo do të thotë se edhe nëse besoni se tashmë e keni kaluar këtë sëmundje dhe jeni të mbrojtur, mund të siguroheni se nuk ka shumë gjasa se do të zhvilloni infektime të rënda, por ekziston ende një rrezik që mund ta merrni një infeksion dhe ta transmetoni te të tjerët”, ka shtuar ajo.
“Tani më shumë se kurrë është e rëndësishme që të qëndrojmë në shtëpi për ta mbrojtur shëndetin tonë dhe për të shpëtuar jetë”, ka thënë Hopkins.
Nga qershori deri në nëntor të vitit 2020, gati 21.000 punëtorë shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar ishin testuar rregullisht për të parë nëse e kishin pasur koronavirusin së fundmi dhe nëse e kishin pasur më herët.
Nga ata që nuk kishin pasur antitrupa të virusit, duke sugjeruar se ka mundësi se nuk e kanë pasur kurrë, 318 kishin zhvilluar infeksione të reja potenciale brenda këtij intervali kohor. Por në mesin e 6.614 njerëzve me antitrupa, kishte 44 infektime të reja potenciale.
Studiuesit kishin pranuar pjesë të ndryshme të të dhënave, ku thuhej se këta njerëz ishin riinfektuar – përfshirë simptomat e reja më shumë se 90 ditë pas infektimit të tyre të parë, testeve serologjike të reja pozitive dhe testeve të gjakut. Disa teste ende janë duke u bërë dhe studiuesit thonë se rezultatet e tyre do të ripërditësohen posa që t’i kenë gati.
Zbulimet shkencore
Shkencëtarët do të vazhdojnë t’i monitorojnë punëtorët shëndetësorë për 12 muaj, për të parë se sa gjatë zgjat imuniteti. Ata do t’i shikojnë nga afër gjithashtu edhe rastet me variantin e ri – që nuk është shpërndarë në kohën e kësaj analize të parë – dhe do ta analizojnë imunitetin e pjesëmarrësve që e kanë marrë vaksinën.
Mjeku Julian Tang, ekspert i viruseve në Universitetin e Leicesterit, ka thënë se rezultatet ishin të sigurta për punëtorët shëndetësorë.
“Marrja e vaksinës pas shërimit nga COVID-19 nuk është problem… dhe me gjasë do ta shtojë imunitetin natyral”, ka shtuar ai. “Do të mund ta shihnim me vaksinën e gripit sezonal. Kështu që shpresojmë se rezultatet nga ky studim do të ndikojnë që shumë kolegë të punëtorëve shëndetësorë të mos ndihen më në ankth, e të cilët kanë pasur shqetësime se mund të infektohen me COVID-19 për herë të dytë”, ka thënë ai.
Një prej shkencëtarëve më të mirë ka thënë se shkalla e rasteve po zvogëlohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe numri i infektimeve po fillon të bjerë në disa zona. Por profesori Neil Ferguson ka paralajmëruar se shifra e përgjithshme e të vdekurve do të shkojë në 100.000.
Disa barnatore në High Street të Anglisë do të fillojnë t’i vaksinojnë të enjten njerëzit nga grupet prioritare, me 200 vaksina në dy javët e ardhshme.
Rregulli i ri i Mbretërisë së Bashkuar për t’i testuar udhëtarët është shtyrë për disa ditë për t’u dhënë atyre më shumë kohë për t’u përgatitur, ka deklaruar qeveria. Njerëzit që udhëtojnë për në Mbretërinë e Bashkuar duhet ta kenë një test negativ si provë.