Lifestyle

Ngjitësit e telefonave nuk kanë ndikim mbrojtës ndaj rrezatimit

Kompania “Energydots” ka thënë se ngjitësit specialë për telefona “kundërveprojnë ndaj energjisë së dëmshme të emetuar nga pajisjet elektronike dhe ato me ‘wireless’”, duke ndihmuar kështu që përdoruesit të flenë më mirë, t’u ndalen kokëdhembjet dhe t’u qetësohet mendja.

Por testet e Universitetit të Surreyt për BBC-në nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi se ato përnjëmend kanë efekt.

Kompania me bazë në Devon ka njoftuar për televizionin BBC se ngjitësit ishin programuar me “energji skalare”, të cilën pajisjet e shkencëtarëve nuk ishin në gjendje ta vërenin.

“Energydots” mbulon një gamë ngjitësish të tillë, përfshirë “SmartDot”, “SleepDot” dhe “PetDot”.

BBC-ja ka blerë pesë “SmartDot” – një ofertë speciale për 55 funte – dhe i ka dërguar në Qendrën Universitare të Inovacionit.

Studiuesit i kanë testuar telefonat 4G dhe pikat e qasjes me wi-fi, me dhe pa ngjitës të ngjitur në ta.

Dhe një përfaqësues i laboratorit ka thënë: “Nuk kemi mundur të gjejmë ndonjë dëshmi se këto produkte kishin ndonjë efekt në frekuencën e energjisë kur përdoreshin sipas udhëzimeve”.

Përfaqësuesja e “Energydots” ka thënë për BBC News: “Deklarojmë qartë se produktet tona janë në harmoni me fushën. Dhe mënyra për t’i testuar është duke u qasur nëpërmjet testimeve biologjike”.

“Keqkuptimi”

Nëntorin e kaluar kompania publikoi një deklaratë për shtyp, ku thuhej se ishte jashtëzakonisht krenare që po bënte të ditur partneritetin me Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë, pasi do të kishte “njësi të reja të pacientëve” të instaluara në spitalet “Torbay” dhe në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Atëbotë një përfaqësuese e kompanisë “Energydots” kishte thënë për BBC News se reklamat për produktet do të shfaqeshin në të dy spitalet, ndonëse sqaroi se spitali në Londër në fakt ishte Kolegji Universitar Spitalor. Por përfaqësuesi nga spitali “Torbay” më pastaj ka thënë për BBC News se nuk dinte asgjë për këtë partneritet.

Dhe brenda disa orësh deklarata e shtypit ishte zhdukur nga faqja elektronike e kompanisë.

“Energydots” më vonë kishte njoftuar se kishte qenë një keqkuptim me agjencinë që kishte premtuar se do t’i organizonte reklamat.

Të padobishëm

Ngjitësit e kësaj kompanie janë në mesin e produkteve më të përhapura në “Amazon” nga kompanitë që ofrojnë mbrojtje prej fushës elektrike dhe magnetike.

Këtu përfshihen veshjet mbrojtëse, tenda që vendosen mbi shtrat dhe madje edhe pajisje që e bllokojnë rrezatimin nga modemët e wi-fi-së – duke i bërë ata të padobishëm.

Një përfaqësues i kompanisë “Amazon” ka thënë për BBC News se “ishin duke i hulumtuar produktet nga ‘Energydots’” dhe se u kishte kërkuar shitësve që të siguronin informata të sakta për faqet e produkteve.

Aktivistët që pretendojnë se rrezatimi nga telefonat dhe pajisjet e tjera përmban rrezik për shëndetin kanë nisur protesta, përderisa rrjetet 5G po shpërndahen. Por pjesa dërrmuese e shkencëtarëve thonë se pjesa më e lartë e spektrit elektromagnetik, që mund të përdoret nga 5G, nuk duhet t’i dëmtojë njerëzit.

Udhëzimet ndërkombëtare e kufizojnë ekspozimin ndaj radiovalëve. Dhe përbrenda këtyre kufizimeve nuk ka të dhëna se ka pasoja për shëndetin, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.