Lifestyle

Studimi i “Pfizerit” sugjeron se vaksina vepron ndaj variantit të ri të virusit

Antitrupat e krijuar te marrësit e vaksinës e kanë larguar me sukses virusin në provat laboratorike, ka treguar studimi i publikuar në uebfaqen e kompanisë. Mirëpo studimi është preliminar dhe ende nuk është analizuar nga ekspertët, një hap ky kyç për të gjitha studimet mjekësore

Washington, 9 janar (AP) – Një studim i porsazhvilluar ka sugjeruar se vaksina kundër sëmundjes COVID-19 e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” mund të ofrojë mbrojtje edhe ndaj mutacioneve të koronavirusit, të cilat shpërndahen shumë më shpejt dhe më lehtë, që janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën Jugore.

Këto variante të reja janë duke shkaktuar shqetësim global. Ato bartin, ngërthejnë mutacione, por kanë një të përbashkët që besohet se është arsyeja pse janë më bartëse.

I quajtur N501Y është alternim i lehtë në një pjesë të proteinës majë që e mbulon virusin.

Shumica e vaksinave që po shpërndahen nëpër botë e trajnojnë trupin ashtu që ta dallojë këtë proteinë dhe ta luftojnë atë.

“Pfizer”-i ka bashkuar forcat me studiuesit nga Universiteti i Degës Mjekësore të Teksasit në Galveston për testimet laboratorike, të ndërmarra për të parë nëse mutacioni e ka prekur aftësinë mbrojtëse të vaksinës. Ata i kanë përdorur mostrat e gjakut nga 20 persona që e kanë marrë vaksinën, të krijuar nga kompania “Pfizer” dhe nga partneri i saj gjerman “BioNTech”, gjatë një studimi të gjatë të vaksinave.

Antitrupat e krijuar te këta marrës të vaksinës e kanë larguar me sukses virusin në provat laboratorike, ka treguar studimi i publikuar në uebfaqen e kompanisë.

Studimi është preliminar dhe ende nuk është analizuar nga ekspertët, një hap ky kyç për të gjitha studimet mjekësore.

“Por ka qenë një zbulim që i ka qetësuar njerëzit se të paktën ky mutacion nuk duket të jetë problem për vaksinën”, ka thënë shkencëtari Philip Dormitzer nga “Pfizer”.

Një vaksinë e ngjashme nga “Moderna” po shpërndahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, teksa të premten është miratuar për përdorim edhe në Mbretërinë e Bashkuar. “Moderna” është duke bërë testime të ngjashme për të parë nëse vaksinat e saj funksionojnë kundër varianteve, pasi që janë krijuesit e llojeve të tjera të vaksinave kundër COVID-19.

Por Anthony Fauci, njëri nga ekspertët më të mirë të sëmundjeve ngjitëse në SHBA, ka thënë së fundmi se vaksinat janë të dizajnuara për t’i vërejtur disa pjesë të proteinës majë, që nënkupton se është vështirë që një mutacion i vetëm mund të mjaftojë për t’i bllokuar ato.

Sido që të jetë, duhen bërë edhe testime të tjera për ta konfirmuar sigurinë.

Viruset kalojnë nëpër disa ndryshime të vogla vazhdimisht, përderisa shpërndahen nga personi në person. Shkencëtarët i kanë përdorur këto modifikime të lehta për ta përcjellë mënyrën se si koronavirusi ishte përhapur përreth globit, qyshkur ishte evidentuar fillimisht në Kinë para një viti.

Shkencëtarët britanikë kanë thënë se variant i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar – që është shndërruar në llojin dominues në disa pjesë të Anglisë – ende duket të jetë i ndjeshëm ndaj vaksinave. Ky mutacion tani është zbuluar edhe në SHBA dhe në disa vende të tjera.

Por varianti që është zbuluar së pari në Afrinë Jugore ka një mutacion shtesë, i cili i ka shtyrë shkencëtarët të mendojnë – E484K.

Studimi i kryer nga “Pfizer”-i ka zbuluar se vaksina ka rezultuar funksionale kundër 15 mutacioneve shtesë të virusit, por E484K nuk ishte në mesin e atyre që janë testuar.

Dormitzer ka thënë se është në radhë për t’u testuar.

Nëse virusi krijon mutacione mjaftueshëm, saqë vaksina të ketë nevojë për përshtatje – sikurse përshtaten edhe vaksinat e gripit – kjo shkulje e recetës nuk do të ishte e vështirë për vaksinat e kompanisë së tij dhe për të tjerat të ngjashme me të.

Që të dy vaksinat – ajo e “Pfizer”-“BioNTech” dhe e “Moderna”-s – janë krijuar nga një pjesë e kodit gjenetik të virusit, të thjeshtë për t’u ndërruar, por nuk është e qartë se çfarë lloje rregullatorësh shtesë të testeve do të kishin kërkuar për të bërë ndryshim të tillë.

Dormitzer ka thënë, gjithashtu, se ky është veç fillimi “i një monitorimi të vazhdueshëm të ndryshimeve të virusit, për ta parë nëse njëri nga ta mund të ketë ndikim në mbulimin e vaksinës”.