Terapia me antitrupa mund të sigurojë imunitet të menjëhershëm kundër sëmundjes dhe mund t’u jepet si trajtim emergjent pacientëve të hospitalizuar dhe banorëve të qendrave të përkujdesjes në ndihmë për frenimin e përhapjes
Shkencëtarët britanikë janë duke e testuar një ilaç të ri, i cili mund ta parandalojë zhvillimin e sëmundjes COVID-19 te personat e ekspozuar ndaj virusit. Ky ilaç, sipas ekspertëve, mund të shpëtojë shumë jetë.
Terapia me antitrupa mund të sigurojë imunitet të menjëhershëm kundër sëmundjes dhe mund t’u jepet si trajtim emergjent pacientëve të hospitalizuar dhe banorëve të qendrave të përkujdesjes në ndihmë për frenimin e përhapjes.
Personat që jetojnë në qendra të përkujdesjes, ku dikush mund të jetë prekur nga COVID-19, do të mund të injektohej me ilaçin ashtu që të mos infektoheshin edhe të tjerët.
Kura e testuar do të mund t’u jepej edhe studentëve universitarë, mes të cilëve virusi mund të përhapet shpejt ngase jetojnë, studiojnë dhe bashkëveprojnë me numër të madh personash.
Duke folur për të përditshmen britanike “The Guardian”, mjekia Catherine Houlihan, një virologe nga Kolegji Universitar i Londrës që ishte në krye të studimit të quajtur “Storm Chaser” për ilaçin, ka thënë se po qe se arrihet dëshmimi i suksesit i këtij trajtimi dhe parandalimi i sëmundjes së personave të ekspozuar ndaj COVID-19, atëherë ky do të ishte një tjetër element i shtuar në arsenalin e armëve që po zhvillohen për luftimin e virusit vdekjeprurës.
Ilaçi është zhvilluar nga Kolegji londinez dhe “AstraZeneca”, kompania farmaceutike që ka bashkëpunuar me Universitetin e Oxfordit edhe për zhvillimin e vaksinës ndaj COVID-19, e cila pritet që gjatë javës së ardhshme të marrë aprovimin e organeve kompetente në Britaninë e Madhe.
Ekipi i shkencëtarëve shpreson se testimi i ilaçit, i cili gërsheton përzierjen e antitrupave, do të rezultojë me mbrojtje nga COVID-19 për gjashtë deri në 12 muaj. Pjesëmarrësit e testimit po ashtu janë duke iu nënshtruar dy dozave të kurës, njëra pas tjetrës.
Po qe se trajtimi aprovohet, atëherë ai do t’u ofrohej personave që i janë ekspozuar virusit pandemik gjatë tetë ditëve paraprakë.
Ilaçi do të mund të ishte i qasshëm qysh në mars apo prill, nëse aprovohet nga rregullatori mjekësor pas dorëzimit të fakteve nga studimi.
“Deri më tani kemi injektuar 10 pjesëmarrës, të cilët i janë ekspozuar virusit në shtëpi, në qendra të përkujdesjes apo nëpër sallat universitare”, ka thënë Houlian, duke folur për “The Guardian”. Ajo dhe kolegët e saj do t’i përcjellin nga afër pjesëmarrësit në test, për të parë se cilët prej tyre do të zhvillojnë sëmundjen COVID-19.
Mbrojtja e menjëhershme që e ofron ilaçi premton të luajë një rol jetik në reduktimin e ndikimit të virusit, derisa të gjithë të fitojnë imunitet nëpërmjet vaksinave. Programi i vaksinimit tashmë ka filluar në një numër të kufizuar shtetesh me kurën e zhvilluar nga partneret “Pfizer” dhe “BioNTech”, dhe pritet që të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme.