Toka ka vazhduar të përballet me një periudhë domethënëse të ngrohjes më 2020, ka bërë të ditur Organizata Botërore Meteorologjike (OBM).
Vlerësimet e përkohshme të kësaj organizate sugjerojnë se ky vit do të jetë një nga tre më të nxehtit, pas viteve 2016 dhe 2019. Gjashtë vjetët më të nxehtë, sipas të dhënave të regjistrimeve globale deri në 1850, janë shënuar që nga viti 2015.
Temperaturat më të larta janë shënuar në Arktikun Siberian, ku temperaturat ishin 5C mbi mesataren. Për ta caktuar rritjen vjetore të temperaturave, OBM-ja në raportin e Gjendjes Klimatike ka shfrytëzuar informata nga pesë grupe të ndryshme të dhënash globale. Pastaj i ka krahasuar ato me leximet moderne të temperaturave të regjistruara mes viteve 1850-1900.
Me të dhënat në dispozicion, nga janari deri në tetor të këtij viti, OBM-ja ka spikatur se 2020-a do të jetë për rreth 1.2 gradë mbi mesatare, por me një margjinë të gabimit prej 0.1 gradë Celsius.
Që të gjitha pesë grupet e të dhënave së fundmi e cilësojnë vitin 2020 si të dytin më të nxehtë, pas vitit 2016 dhe përpara tij, vitit 2019.
Sidoqoftë, pritjet nga shkencëtarët janë që të dhënat e temperaturave nga nëntori dhe dhjetori me gjasë do të jenë më të ftohta për ta shtyrë 2020-n në vendin e tretë. Kjo do të ndodhë për shkak të një ngjarjeje atmosferike, të emëruar “La Niña”, e cila ka ndodhur në Oqeanin Paqësor dhe kjo normalisht se i ul temperaturat.
Pa marrë parasysh këtë, OBM-ja është e sigurt se viti 2020 do të mbetet një nga tre më të nxehtit. “Regjistrimet e nxehtësisë gjatë viteve zakonisht kanë rastisur me një ngjarje të fortë, sikurse në vitin 2016”, ka thënë profesori Petteri Taalas, sekretar i përgjithshëm i OBM-së. “Tani po e përjetojmë një ‘La Niña’, që ka ndikim ftohës në temperaturat globale, por nuk ka mjaftuar për ta frenuar nxehtësinë e këtij viti”.
OBM-ja ka bërë, gjithashtu, të ditur se ngrohja vazhdon t’i shkrijë shumë pjesë të botës, përfshirë edhe Grenlandën, kur rreth 152 miliardë tonë të akullit kishin humbur nga shtresa e akullit vetëm deri në muajin gusht të këtij viti. Dëshmitë e reja kanë sugjeruar që uraganet kanë nisur që të bëhen më të fuqishëm, kur e godasin tokën, pikërisht për shkak të rritjes së temperaturave.
Ndikimet e tjera të theksuara nga OBM-ja këtë vit përfshijnë zjarret e ashpra në Siberi, Australi dhe përreth Bregdetit Perëndimor Amerikan dhe Amerikës Jugore, ku ka pasur shtëllunga tymi që kanë rrethuar globin. Vërshimet në Afrikë dhe Azinë jug-perëndimore i kanë zhvendosur një numër të madh njerëzish dhe kanë gërryer sigurimin e ushqimit për miliona njerëz.
Gjetjet e raportit të OBM-së nuk përbëjnë befasi për shumicën e vrojtuesve.
“Gjendja e klimës globale? E rrezikshme”, ka thënë profesori Dave Reay nga Universiteti i Edinburgut në Mbretërinë e Bashkuar. “Këto të dhëna të reja vjetore të shëndetit të përkeqësuar të planetit gjithmonë bëhen për lexim të zbrazët; këtë vit është dhënë alarm i kuq. Nxehtësia e madhe, thatësira e intensifikuar dhe zjarret e egra të shfrenuara, që të gjitha flasin për ndikimet akute të ndryshimit klimatik më 2020. Ato gjithashtu paralajmërojnë një gërryerje kronike të lavamanit global të karbonit – oqeanet, drunjtë dhe dheu në botë – kjo është në rrugë e sipër”, ka thënë ai. “Ky vit, në vijim, do të definohet nga rikuperimi ynë prej COVID-19, kurse shekujt në vijim do të definohen nga ajo se sa i gjelbër është në fakt ky rikuperim”.
Aktivistët e ambientit thonë se raporti e rrit urgjencën e thirrjeve për rikuperim, pas pandemisë, për t’u përqendruar në ndryshimin klimatik dhe në ambient.