Lifestyle

Vaksinat kundër COVID-19 mund të jepen bazuar në grupmoshat e njerëzve

Shqetësimet që janë ngritur se vaksina për koronavirus AstraZeneca ndikon ndryshe tek të moshuarit, mund të çojë në vaksinimin e grupmoshave të ndryshme me vaksina të ndryshme.

Javën e kaluar ishte deklaruar se vaksina ishte 70 për qind efikase. Për shumicën e pjesëmarrësve, të cilëve u janë dhënë dy doza, efikasiteti ka qenë 62 për qind, por 3,000 pjesëmarrësve gabimisht u ishte dhënë gjysmë doze gjatë provave të para dhe efikasiteti kishte dalë të jetë 90 për qind. Asnjë nga pjesëmarrësit pavarësisht dozave, nuk ishin infektuar apo u ishte përkeqësuar gjendja.

Ndryshe nga vaksinat tjera kandidate për COVID-19, AstraZeneca është më e lirë për t’u prodhuar dhe nuk ka nevojë të vihet në temperatura shumë të ftohta.

Megjithatë, thuhet se një grup që ka marrë një dozë të saj nuk ka përfshirë pjesëmarrës mbi moshën 55-vjeç, duke e lënë të pakuptueshme nëse efikasiteti prej 90 për qind qëndron edhe për të rriturit, të cilët janë më në rrezik për infektim.

Profesoresha në Shkollën e Londrës për Higjienë, Helen Fletcher, i tha Guardianit se pasja e më shumë vaksinave mundëson që të gjendet se cila ka rezultate më të mira në cilin grup.

“Kjo nuk është e pazakonshme, ne u japim tre lloje të vaksinave për grip fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, pasi e dijmë se platformat e ndryshme të vaksinës kanë efekt më të mirë në grupmosha të ndryshme”, tha ajo.