Bruniquel është një nga fshatrat më të bukura të Francës dhe rreth një orë në veri të Toulouseit. Mos më besoni – por ekziston një shenjë e rrallë e veçantë në hyrje ku shkruhet diçka e tillë. Më pak se 160 fshatra në Francë e kanë fituar të drejtën për ta vendosur këtë shenjë.
Vetëm 700 njerëz jetojnë këtu gjatë tërë vitit dhe derisa pandemia i preku 90,000 vizitorë në vit, të magjepsur nga shtëpitë mesjetare, nga kështjella e tij dhe lumi Aveyron, që e ndan grykën.
Tani, turistët kanë shkuar dhe rrugët janë të qeta, pasi fshati, sikur tërë Franca, po hyn në një izolim të dytë si pasojë e Covid-19.
Shkolla e vetme në fshat vetëm sa është mbyllur për shkak se njëri prej stafit është infektuar me virus. Disa fshatarë e kanë marrë koronavirusin gjatë valës së dytë që e pushtoi Francën dhe la më shumë njerëz në spital sesa vala e parë.
Kjo pjesë e veçantë, apo departament, e Tarnit dhe Garonneit ishte relativisht e paprekur gjatë pranverës, me vetëm gjashtë vdekje. Por në javët e fundit shifrat janë ngritur në dy apo tri vdekje në ditë.
“Për banorët çdo gjë ka ndryshuar. Në këtë fshat ka shumë aktivitete, ngjarje kulturore dhe përnjëherë të gjitha ndaluan”, thotë Christiane Soulie, kryetarja e zgjedhur pak para izolimit të parë të fundmarsit.
Në Francë, izolimi i dytë do të thotë se njerëzit mund të dalin nga shtëpia vetëm për të blerë gjëra themelore, për të kërkuar ndihmë mjekësore, për të bërë ushtrime një orë në ditë apo për të shkuar në punë nëse nuk mund të punojnë nga shtëpia. Të gjitha dyqanet dytësore, restorantet dhe kafenetë janë të mbyllura, por shkollat dhe kopshtet qëndrojnë të hapura.
“Nuk guxojnë as të dalin për të blerë bukë”
Ditët e kryetares së Braniquelit janë të mbushura duke u marrë me krizën e pandemisë. Një listë prej 27 banorëve të ndjeshëm, shumica të moshuar, është hartuar për këshillin e fshatit për të kontaktuar disa herë në javë me ta për t’u siguruar se janë mirë.
“Ne e hapim zyrën e fshatit sa më shumë që është e mundur për t’iu ndihmuar njerëzve me dokumente dhe e kemi mbajtur të hapur postën që nga izolimi i parë, kështu që mendoj se kemi një mision”, thotë ajo.
Një grua e moshuar vetëm sa nuk ia plas vajit, e frikësuar për të dalë jashtë për t’i blerë ilaçet.
“Ata mund të dalin jashtë, por nuk guxojnë as të dalin për të blerë bukë apo gazeta”, thotë një nga vullnetarët, Rosalind Armand.
Jo të gjithë ndihen aq keq.
Bernard Belloc, dikur diplomat francez në Kinë, ka jetuar gjatë pjesës më të madhe të vitit në Paris, por zgjodhi që ta kalojë karantinën në Bruniquel.
Këtu ai mund të punojë nga shtëpia, apo "télétravail", siç thuhet në frëngjisht, duke folur me bizneset franceze nëpërmjet kompjuterit të tij dhe duke u munduar ta rrisë fitimin e punës në Kinë.
“Interneti punon mirë; teknologjia punon dhe kemi kopsht. Kështu që është shumë më rehat dhe më gjerë sesa vendi ku kemi jetuar në Paris”.
Sfidat e restoranteve dhe dyqaneve
Ndërsa për bizneset që jetojnë nga turizmi, është situatë e vështirë.
Véronique Linas ka një restorant “Chez Pigassou” dhe gjithashtu shet ushqim të cilësisë së lartë. Ajo e ka hapur para tre vjetësh dhe ishte duke marrë fitime të arsyeshme derisa shpërtheu virusi.
Gjatë verës, kur masat u liruan, bizneset u këndellën shpejt, por tani është e dëshpëruar. Shteti francez është duke i inkurajuar bizneset si ai i saj për të krijuar shërbime “merr me vete”, por në një fshat si i saji ajo mendon se kjo nuk është aq e kuptimshme.
“Shumë pak njerëz këtu rrinë online gjatë tërë kohës apo në rrjetet sociale. Nuk është njësoj si në qytetet e mëdha, ku njerëzit janë mësuar me këtë praktikë”.
Bruniquel ka vetëm një dyqan ushqimesh, në pronësinë e Patricia dhe Philippe Giorlandos që gjashtë vjet.
Shumica e fitimeve që vijnë nga turistët dhe myshterinjtë lokalë nuk mjaftojnë.
“Pa marrë parasysh izolimin, mund të dilni deri në supermarket për të blerë gjëra themelore dhe shumë njerëz ia kanë bërë kështu për shkak se është më lirë”, thotë Patricia.
Nuk lejohen aktivitetet sportive
Aktivitetet e sporteve amatore janë të ndaluara, kështu që do të thotë se nuk ka punë për Philippe Baudrand, i cili është mësues i arteve marciale dhe “Tai Chi” në një studio të rinovuar afër shtëpisë së tij.
“Fatmirësisht mund t’ia dalë me papunësinë, por sporti im nuk është i dobishëm vetëm fizikisht, por edhe për shëndetin mendor gjithashtu”, thotë ai. “Kjo do t’u bënte mirë tani shumë njerëzve të komunitetit tim”.
Delphine Chriqui, që e udhëheq një shkollë kalërimi në shkurre mbi fshat, duhej të mbyllej gjithashtu.
Asaj i është dashur t’i ulte pak kostot e ushqimit të kafshëve, por ishte e befasuar nga mbështetja që e kishte marrë nga komuniteti i fshatit.
Kur ajo i shkroi gazetës lokale për të parë nëse ndokush kishte tokë kullosëse rezervë që t’i dërgonte kuajt aty, shumë njerëz dolën vullnetarë.
“Jemi shumë me fat. Shumë njerëz na kanë siguruar tokë për kuajt tonë, në mënyrë që të kenë çfarë të hanë”, thotë ajo.
Përderisa i vështron ponit që grumbullohen në sanë, ajo brengoset se kur të kthehen kalëruesit, për shkak të pandemisë ata do të mbesin dembelë dhe të vetëkënaqur.
{gallery}