Lifestyle

Në kujdesin intensiv të pacientëve me COVID

Sot, në njësinë e kujdesit intensiv në “Royal Victoria Infirmary”, vetëm një nga pesë pacientë është në ventilator. Të tjerët rrinë ulur, duke folur me infermierët, duke lexuar apo duke shikuar televizor

Jemi të veshur me kostum mbrojtës në një nga dy njësitë spitalore të kujdesit intensiv që janë vetëm për pacientët me Covid. Ky është një pavijon spitali i ndritshëm dhe modern – rrezet e diellit depërtojnë brenda.

Diku në fund është një pengesë e madhe plastike e vendosur përreth një hyrjeje. Në anën tjetër, asnjë prej pacientëve nuk ka Covid-19. Ndarja e improvizuar tregon se e tërë kjo është relativisht e re. Është dimri i parë që reagimi i Shërbimit Kombëtar britanik të Shëndetësisë (NHS) ndaj kërkesave të zakonshme të rënda duhet të përshtatet për koronavirus.

Në njësinë e koronavirusit është e dukshme diçka tjetër menjëherë: tingujt e bisedave.

Kur fillimisht isha shtruar në një njësi të kujdesit intensiv në prill, kisha mbetur i shokuar nga gjërat që kisha parë. Të gjithë përpos një pacienti ishin në ventilator, në një komë të detyruar mjekësore. Ishte shumë qetë, dëgjoheshin vetëm tingujt ritmikë të makinave që pomponin ajër në mushkëri.

Ekipet mjekësore ishin në një qorrsokak, pasi nuk dinin cila ishte mënyra më e mirë për ta trajtuar një sëmundje që i prekte mushkëritë dhe organet e tjera të viktimave. Jetët ishin në mëdyshje, zakonisht për javë me radhë. Në fillim të prillit, dy nga tre pacientët në ventilator nuk kishin mbijetuar.

“Absolutisht e tmerrshme”

Sot, në njësinë e kujdesit intensiv në “Royal Victoria Infirmary”, vetëm një nga pesë pacientë është në ventilator. Të tjerët rrinë ulur, duke folur me infermierët, duke lexuar apo duke shikuar televizor.

“Nofka ime është ‘Jedi’”, thotë Brian Clamp. Ai është 62-vjeçar dhe është shërbyes në një klub social, ku punon prapa barit.

Ai po përmirësohej, por ishte shtruar përsëri në kujdes intensiv, kur iu kishte përkeqësuar frymëmarrja. Ende ka frymëmarrje të rënduar, pa marrë parasysh furnizimet me oksigjen, por humori dhe e qeshura e tij janë të paprekur. Brain e pranon se përvoja e tij ka qenë “absolutisht e tmerrshme”, por shton, me buzëqeshje, “do të na bëjnë të ndihemi më mirë, e di”.

Ai është i vendosur se do të kthehet në shtëpi për ta shikuar mbesën e tij, Millie, teksa luan futboll.

Të paktën gjysma e pacientëve këtu janë në testime klinike.

Më poshtë pavijonit është Edmund Derrick, që është i çliruar prej kur iu është kthyer shija. Ai po e shijon një sandviç me vezë.

“E kisha një shije të keqe dhe si të djegur në gojën time për ditë me radhë, që kishte pushtuar absolutisht çdo gjë”, thotë ai. Simptomat e tjera ishin dridhje të pakontrollueshme dhe ndryshime të menjëhershme të temperaturës.

Pensionisti 71-vjeçar, sikur kushdo tjetër, është i interesuar t’i kthehet familjes së tij. Edhe gruaja e tij ishte infektuar me koronavirus në kohën e njëjtë, por nuk ishte sëmurë seriozisht. Burrat kanë dy herë më shumë gjasa që të shtrohen në kujdes intensiv me Covid-19.

“Mendoj se jam me fat që jam infektuar në valën e dytë”, thotë ai, “tani mjekët dinë shumë më shumë”.

Nuk ka dyshime se më shumë pacientë janë duke i mbijetuar Covid-19, edhe pse është shumë herët që të themi diçka kaq të prerë. Ventilatorët përdoren me masë dhe mjekët mbështetën më shumë në mjetet e tjera për të dhënë oksigjen.

Rreth 1,000 pacientë me Covid në ditë pranohen në spitalet e Britanisë së Madhe, përafërsisht një e treta e shifrave në kulmin e pandemisë. Vdekjet e lidhura me Covid janë një e pesta e nivelit të prillit.

“Njohja me bishën”

“Tani e njohim bishën, që është pneumonia Covid”, ka thënë dr. Lewis Gray, këshillues në kujdesin intensive. “E dimë si zhvillohet, si trajtohet dhe si mund të shërohen njerëzit”.

Pacientët po marrin dekametason, steroid i lirë që është dëshmuar se e zvogëlon rrezikun për vdekje për një të tretën. Ata marrin edhe remdsivir, ilaç antiviral që është miratuar plotësisht në ShBA, edhe pse efektshmëria e tij është ende duke u analizuar.
Pacientëve po iu jepen edhe doza të shtuara të ilaçeve anti-kolagjen, për ta parandaluar mpiksjen e gjakut, që mund të jetë ndërlikim serioz për Covid. Dhe zakonisht mjekohen të shtrirë përmbys, pasi kjo ndihmon frymëmarrjen.

Por ndikimi i Covid ndihet në spital më shumë sesa në kujdesin intensiv. Sa më shumë që të ketë koronavirus aty, aq më i madh është ndikimi në kujdeset e tjera joemergjente – zëvendësimet e ijëve, operimet e syve dhe një mori shërbimesh të tjera.

Në mars kishte shqetësime se spitalet do të mbingarkoheshin, kështu që të gjitha operacionet që nuk ishin urgjent ishin anuluar. Këtë herë, qëllimi është që të sigurohemi se nuk do të vdesë asnjë pacientë me Covid. Por çdo shtrat ku shtohet një pacient me koronavirus, i duhet infermier specialist. Tashmë, “Royal Victoria Infirmary” iu është dashur t’i mbyllë katër nga 50 repartet për t’i vendosur infermierët në kujdesin intensiv.

Menaxhim i mirë

Dame Jackie Daniel, shef ekzekutiv i NHS-së në Newcastle dhe ish-infermier, ka thënë se situata në spitale është balancuar goxha mirë.

“Tani për tani jemi duke e menaxhuar mirë, por nuk jemi të sigurt, pasi do të bëhet më e vështirë”.

Ashtu sikurse shërbimet e tjera, koha për të pritur për operacione që nuk janë çështje jetë a vdekje është rritur.

Spitali i tij ka ofruar shërbime të kancerit, por diku tjetër ka dhjetëra e mijëra pacientë të patrajtuar”, thotë Dame Jackie.

“Kataraktet janë shembull i mirë – një procedurë relativisht e thjeshtë, por nëse jeni person i dobët, i moshuar, i izoluar e i frikësuar, po i shtyjmë këta pacientë në ankth edhe më të thellë”. Kathleen Lawson, nga Durham, ka pasur operacion të tiroideve në mars. Tek tani e ka pasur këtë operacion 67-vjecarja.

“Ndihem shumë me fat që ka ndodhur. Jam e çliruar”, thotë ajo.

Në një tjetër pavijon kam biseduar me disa pacientë të tjerë që janë duke u shëruar nga infektimi serioz me Covid.

Epifania Garcia, punëtorja 66-vjeçare e kujdesit dhe bashkëshorti i saj janë në reparte të ndryshme. Epi është optimiste se që të dy do të përmirësohen, por brengoset për vajzat e saj, që të dyja infermiere.

“Mërzitem për shkak se nuk mund t’i shoh. Nuk më ka ndodhur të mos i shoh për kaq shumë kohë”, thotë ajo.