Lifestyle

Sprovat që po e shoqërojnë zhvillimin e vaksinës anti-COVID

Që në fazat më të hershme të pandemisë, vëmendja e të gjithë botës është fokusuar në prodhimin e një vaksine kundër COVID-19. Nëse do ta kemi në dispozicion një të tillë, shpresohet që ajo të ketë sukses në zhdukjen e virusit, duke e eliminuar nevojën për t’u mbështetur vetëm te masat e kontrollit, që kanë një kosto të madhe ekonomike, shkruan “Business Insider”.

Në të kundërtën, bota ndoshta do të duhet të jetojë me COVID-19 si një sëmundje endemike. Koronavirusi nuk ka gjasa të zhduket në mënyrë spontane. Lajmi i mirë është se krijimi i një vaksine të tillë është i mundur, por duhet të kemi durim. Zhvillimi i një ilaçi të ri kërkon shumë kujdes dhe një testim të gjerë, për t’u siguruar që ajo që po prodhohet është e sigurt dhe efektive.

Si do të funksionojnë vaksinat kundër COVID-19?

Edhe pse nuk kuptohet plotësisht se si trupi ynë ndërvepron me Sars-CoV-2, mendohet se një pjesë e virusit shkakton një përgjigje imunitare: është e ashtuquajtura proteina në formë gozhde, që ngjitet në sipërfaqen e virusit. Ndaj, të dyja vaksinat deri tani më premtuese kundër COVID-19 synojnë ta nxisin trupin tonë të prodhojë këto proteina thelbësore, në mënyrë që ta trajnojë sistemin tonë imunitar t`i njohë ato dhe të shkatërrojë çdo grimcë virale që mund të hasë në të ardhmen.

Çfarë e përcakton përgjigjen tonë ndaj një vaksine?

Struktura e një vaksine nuk është faktori i vetëm që përcakton intensitetin e përgjigjes sonë imune. Siç e tregojnë Meno van Zhelm dhe Paul Gil, ekzistojnë 4 variabla të tjerë për shkak të të cilave çdo person ka një përgjigje të ndryshme ndaj një vaksine: mosha, gjenet, faktorët e jetesës e infeksionet e mëparshme ndaj të cilave ka qenë i ekspozuar. Mund të ndodhë që jo të gjithë individët të fitojnë imunitet të qëndrueshëm nga një vaksinë.