Lifestyle

Edhe zyrtarët e shëndetit në grackën e teorisë kundërthënëse

Me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit në pranverë, dy profesorë të Universitetit të Stanfordit – dr. Jay Bhattacharya dhe dr. Scott W. Atlas – kishin shqetësim të njëjtë se izolimet po rezultonin me shkatërrim ekonomik dhe shoqëror.

Tani, Atlas është është këshilltar për pandemi i presidentit amerikan, Donald Trump, zë i fuqishëm brenda Shtëpisë së Bardhë. Dhe Bhattacharya është një prej autorëve të së ashtuquajturës Deklarata e Madhe e Barrigntonit, traktat shkencor që bën thirrje për të lejuar koronavirusin të përhapet në komunitet.

Moment sfidues

Përderisa Atlasi dhe zyrtarët e administratës kanë mohuar se mbështesin këtë qasje, kanë lavdëruar idetë të shprehura në deklaratë. Mesazhi është i lidhur me kundërshtimin e zëshëm të Trumpit ndaj thirrjeve për mbyllje të sërishme ekonomike, edhe pse vendi po përballet me telashe për ta mbërthyer koronavirusin.

Propozimi kryesor – që sipas uebfaqes së kësaj deklarate mbështetet nga mijëra nënshkrime të njerëzve që e identifikojnë veten si profesionistë të shkencës dhe shëndetit – është se për të frenuar koronavirusin, “njerëzit të cilët nuk cenohen menjëherë, të lejohen t’i kthehen jetës normale”, përderisa të rrezikuarit të mbrohen nga infektimi.

Amerikanët më të rinj duhet të kthehen në vende pune, shkolla, dyqane dhe restorante, përderisa amerikanët më të moshuar do të duhej të ruheshin gjatë kohës kur përhapet virusi, duke u ofruar shërbime elementare për jetën dhe shëndetin e tyre, përfshirë ushqimet dhe kujdesin mjekësor.

Eventualisht, shumë amerikanë të rinj do të lejoheshin t’i ekspozohen virusit, dhe me gjasë të imunizoheshin, me qëllim që virusi të përhapet në komunitetin e caktuar, pretendohet në deklaratë.