Lifestyle

Gjithnjë e më pak fëmijë për shkak të pandemisë

Tokio, 21 tetor – Rënia e lindjeve në Japoni vazhdon e pandërprerë, një trend që është theksuar që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, sipas të dhënave nga Ministria Japoneze e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave shkalla e shtatzënisë së grave japoneze, në tre muaj duke filluar nga maji, ra me 11,4% krahasuar me periudhën e referencës një vit më parë.

Urgjenca shëndetësore ka ulur më tej perspektivat për rritjen ekonomike, në një kohë kur vendi tashmë duhej të merrej me kostot në rritje të sigurimeve shoqërore, përballë plakjes progresive të popullsisë.

Në Japoni, rreth 28% e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe numri i lindjeve të reja në 2019 kishte rënë në rekorde prej 865 000.

Ndër masat e vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e patogjenit janë kufizimet për vizitat në spitale dhe kufijtë e udhëtimit për gratë që duan të kthehen në qytetet e tyre për lindje.

Duke pasur parasysh situatën aktuale ekonomike dhe shtrëngimin e tregut të punës, studimi beson se shumë çifte kanë vendosur të shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë për një kohë të pacaktuar, gjithashtu duke marrë parasysh pasigurinë aktuale për gjetjen e një vaksine.

Shkalla e lindshmërisë së grave në Japoni është vetëm 1,36 ose poshtë pragut minimal prej 2,07, që konsiderohet e nevojshme për të garantuar qarkullimin e gjeneratave, dhe sipas analistëve është e destinuar të bjerë më tej për shkak të pandemisë/ANSA.