Nëntë nga dhjetë pacientët e prekur nga koronavirusi është raportuar se kanë përjetuar efekte anësore të tilla si lodhja, efektet psikologjike dhe humbja e shqisës së të nuhaturit dhe të të shijuarit, edhe pasi të jenë shëruar nga sëmundja.
Kështu ka treguar të martën një studim përfundimtar i kryer në Korenë Jugore.
Studimi u bë pasi numri i vdekjeve globale nga COVID-19 ka kaluar shifrën prej 1 milion, një moment historik i zymtë në një pandemi që e ka shkatërruar ekonominë globale, i ka stërmbushur sistemet shëndetësore dhe e ka ndryshuar mënyrën e jetës së njerëzve.
Në një anketë online me 956 pacientë të shëruar nga COVID-19, 879 sosh apo 91.1 për qind janë përgjigjur se ishin duke vuajtur nga të paktën një efekt anësor nga sëmundja, ka thënë në një konferencë zyrtari i Agjencisë së Parandalimit dhe Kontrollimit të Sëmundjeve të Koresë Jugore, Kwon Jun-wook.
Lodhja ishte efekti anësor më i zakonshëm, mes 26.2 për qind të rasteve, duke vazhduar me vështirësinë në përqendrim, të cilin efekt e kanë raportuar 24.6 për qind të pacientëve, ka thënë Kwon.
Efektet e tjera anësore përfshijnë ndikimet psikologjike apo mendore dhe humbjet e shqisës së të shijuarit apo të të nuhaturit.
Kim Shin-woo, profesor i mjekësisë interne në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Kombëtar të Kyungpookut në Daegu, ka kërkuar komente nga 5.762 pacientë të shëruar në Korenë Jugore dhe 16.7 për qind prej tyre morën pjesë në anketë.
Përderisa studimi ishte bërë online, udhëheqësi i tij, Kim, së shpejti do ta publikojë studimin me analizat e hollësishme, ka thënë ai.
Koreja Jugore gjithashtu është duke përçuar një studim të ndarë me 16 organizata mjekësore rreth mundësive për ndërlikime nga sëmundja nëpërmjet analizës së hollësishme që përfshin fotografime CT të pacientëve të shëruar vitin e ardhshëm, ka thënë Kwon në konferencë.