Lifestyle

Vaksina e Modernas për COVID-19 duket e sigurt, ka shenja se po funksionon te të moshuarit

Rezultatet nga studimet fillestare të vaksinës kandidate të Moderna Inc për koronavirus te të moshuarit tregojnë se ka prodhuar antitrupa neutralizuese të virusit në nivel të ngjashëm si te të rinjtë, ndërkohë efektet anësore duket se janë të përafërta me marrjen e një doze të lartë të vaksinës së gripit sezonale, raporton agjencia Reuters.

Studimi, i publikuar nga “New England Journal of Medicine”, ofron një pamje të qartë të sigurisë së vaksinës te të moshuarit, një grup që rrezikon komplikime të rënda nga COVID-19.

Këto zbulime janë qetësuese pasi imuniteti ka tendencë të dobësohet me moshë, ka thënë mjeku Evan Anderson, një nga hulumtuesit kryesor nga Universiteti Emory në Atlanta.

Studimi ishte nga Faza I e testimeve të sigurisë së vaksinës së Modernas, që së pari ishte bërë me individë të moshës nga 18 deri 55-vjeçare. U testuan dy doza të vaksinës së Modernas - 25 mikrogramë dhe 100 mikrogramë – në 40 të rritur nga mosha 56 deri 70 vjet dhe 71 e më tepër.

Në përgjithësi, ekipi zbuloi se te të moshuarit që kanë marrë dy injeksione nga 100 mikrogramë 28 ditë dallim nga njëra-tjetra, vaksina ka prodhuar një reagim imunitar afërsisht të ngjashëm te personat më të ri në moshë.

Moderna është duke testuar dozë më të lartë në Fazën III të testimeve, fazën finale para se të kërkoi autorizim emergjent apo aprovim.

Efektet anësore, që përfshijnë dhembje koke, lodhje, dhembje trupi dhe dhembje te vendi ku merret injeksioni, llogariten si të buta deri te mesatarja.

Por në së paku dy raste, vullnetarët kanë pasur reaksione më të rënda.

Një ka pasur temperaturë deri 39 gradë Celsius apo më tepër, pasi ka marrë vaksinë të dozës më të ulët. Një ka zhvilluar lodhje aq të rënda sa që përkohësisht kishte ndalur aktivitetet ditore.

Në mënyrë të zakonshme, efektet anësore paraqiten pasi merret vaksina dhe zgjidhen shpejt, ka thënë Anderson.


“Kjo është e ngjashme me atë që të moshuarit do të përjetojnë kur marrin vaksinë të dozës së lartë të gripit sezonal”, ka thënë Anderson.