Lifestyle

Qentë në Finlandë stërviten që të nuhasin të infektuarit me COVID-19

Jo vetëm tampon apo edhe aplikacione, tashmë në shërbim për të zbuluar sa më shumë raste me COVID-19 janë edhe qentë.

Qentë e stërvitur për të zbuluar koronavirusin filluan nuhatjen e mostrave të pasagjerëve në aeroportin Helsinki-Vantaa të Finlandës këtë javë. Autoritetet bën me dije se ky është një projekt pilot që zhvillohet krahas provave më të zakonshme në aeroport.

Efikasiteti i qenve nuk është provuar në studimet shkencore, kështu që udhëtarët që bëhen vullnetarë për t'u testuar dhe dyshohen se mbajnë virusin, udhëzohen të marrin edhe një tampon për të konfirmuar rezultatin.

Një ekip prej 15 qensh dhe 10 instruktorësh po trajnohen në Finlandë të sponsorizuar nga një klinikë veterinare private.

Anna Hielm-Bjorkman, e cila është profesorëshë në Universitetin e Helsinkit dhe e specializuar në kërkimet klinike për kafshët, tha se hulumtimi i tyre kishte treguar se qentë mund ta zbulojnë sëmundjen pesë ditë para se pacientët të shfaqin ndonjë simptomë klinike.

Në provën e qenit, një pasagjer fërkon qafën me një garzë, e vendos atë në një enë e cila më pas dorëzohet në një dhomë tjetër, ku një qen e nuhat për të dhënë një rezultat të menjëhershëm. Nëse rezultati është pozitiv, pasagjeri do të drejtohet në stacionin e informacionit shëndetësor të Spitalit Universitar Helsinki për udhëzime të mëtejshme.

Qentë, falë shqisës së tyre nuhatëse, është zbuluar se nuhatin COVID-19 tek njerëzit shumë lehtë dhe kështu stërvitja e tyre është relativisht e shpejtë e mund të zgjasë vetëm disa orë.

Studiuesit besojnë se nëse është e suksesshme, skema pilot mund të çojë në vendosjen e "qenve COVID-19 " në një larmi mjedisesh si shtëpitë e te moshuarve ose pensioneve doganat dhe pikat e tjera kufitare. Ato mund të përdoren gjithashtu për të testuar profesionistë të sektorit të kujdesit mjekësor dhe kështu të ndihmojnë në shmangien e karantinës jo të nevojshme/euronews.al.